
Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka rënë dakord për një armëpushim dyjavor me Iranin, vetëm pak orë para afatit që kishte vendosur për rihapjen e Stratit të Hormuzit, përcjell Reuters.
Marrëveshja erdhi pas ndërmjetësimit të Pakistanit, përmes kryeministrit Shehbaz Sharif dhe shefit të ushtrisë Asim Munir. Sharif bëri të ditur se delegacionet amerikane dhe iraniane janë ftuar për bisedime në Islamabad.
Sipas Trump, armëpushimi kushtëzohet me rihapjen e lundrimit në Stratin e Hormuzit, një rrugë ujore nga ku kalon rreth një e pesta e furnizimit global me naftë. Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araqchi deklaroi se Teherani do të ndalë kundërsulmet dhe do të garantojë kalimin e sigurt, nëse ndalen sulmet ndaj tij.
Trump e cilësoi marrëveshjen si një “fitore të plotë”, duke theksuar se objektivat ushtarake janë arritur dhe se negociatat për një marrëveshje afatgjatë paqeje janë në progres. Ndërkohë, autoritetet iraniane e paraqitën marrëveshjen si një fitore të tyre, duke pretenduar se SHBA ka pranuar kushtet e Teheranit.
Megjithatë, situata në terren mbetet e tensionuar. Izraeli mbështeti pezullimin e sulmeve ndaj Iranit për këtë periudhë, por theksoi se armëpushimi nuk përfshin Libanin, ku raportohen ende sulme.
Konflikti, që ka hyrë në javën e gjashtë, ka shkaktuar mbi 5,000 viktima në disa vende, përfshirë më shumë se 1,600 civilë në Iran. Ekspertët mbeten skeptikë për qëndrueshmërinë e armëpushimit, duke e cilësuar atë si një hap për ndërtimin e besimit mes palëve.
Ndërkohë, tregjet globale reaguan pozitivisht ndaj lajmit, me rënien e çmimeve të naftës dhe rritjen e bursave, ndërsa liderët botërorë e mirëpritën marrëveshjen si një hap drejt uljes së tensioneve në rajon.