Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: Ligji për investimet strategjike jep asete publike pa garë


Në Komisionin Parlamentar për Ekonominë u shqyrtua projektligji “për portet turistike në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar”, nismë e deputetes Zamira Sinaj.

Gjatë fjalës së saj, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, është shprehur se ligji për investimet strategjike duhet t’i ndalojë efektet e tij, pasi sipas saj, është një ligj që jep asete publike pa garë.

Po ashtu, Tabaku tha se ligji për investimet strategjike lindi për tërheqjen e investimeve të huaja në Shqipëri, gjë që sipas deputetes demokrate nuk ka ndodhur.

Tabaku shtoi gjithashtu se janë mbi 80 investime strategjike që janë të gjitha me përfitues të njëjtët që marrin tendera dhe koncesione.

“Ligji i investimeve strategjike lindi si një ligj i përkohshëm dhe u kthye në të përhershëm. Unë kam bërë propozime për secilin prej këtyre ndryshimeve, kam kërkuar edhe që ky ligj t’i ndalojë efektet e tij. Ligji i investimeve strategjike është një ligj që jep asete publike pa garë.

Cili nga investimet strategjike që ka dhënë qeveria shqiptare ka edhe porte? Cili investim strategjik ka kërkuar që të ketë një procedurë për port dhe pse qeveria shqiptare nuk realizon një procedurë gare për dhënien e portit? Por duhet që këtij favori t’i japim një favor tjetër që është edhe porti.

Ligji i investimeve strategjike lindi për të tërhequr investime të huaja. A ka qeveria shqiptare një analizë, ligji i investimeve strategjike sa investime të huaja ka sjellë? A numëron dot më shumë se 3 që janë investime të huaja? Janë mbi 80 investime strategjike që janë të gjitha me përfitues të njëjtët që marrin tendera dhe koncesione”, tha mes të tjerash Tabaku.