
SHBA-ja dhe Izraeli kanë një sërë objektivash të rreshtuara në Iran, të programuara për të gjymtuar ekonominë e vendit dhe për të siguruar që rimëkëmbja e regjimit nga kjo luftë të jetë e gjatë dhe e dhimbshme.
Izraeli po pret autorizimin nga Uashingtoni këtë javë për të filluar goditjen e objekteve energjetike të Iranit, tha një zyrtar izraelit, duke minuar potencialisht prodhimin në një nga prodhuesit kryesorë të naftës dhe gazit në botë. Në një intervistë për Wall Street Journal, Presidenti Trump tha të dielën se SHBA-ja ishte e përgatitur të godiste të gjitha urat dhe termocentralet e Iranit, duke krijuar dëm të mjaftueshëm saqë do duheshin “20 vjet për t’u rindërtuar, nëse janë fatlumë, nëse do kenë një shtet”.
Goditja e bazamentit të ekonomisë së Iranit do shënonte një përshkallëzim në luftën pesëjavore që synon të detyrojë Teheranin të heqë dorë nga leva ekonomike që ka fituar duke ngadalësuar trafikun përmes Ngushticës së Hormuzit-rruga ujore përmes së cilës kalon 20% e naftës botërore. Trump ka caktuar një afat deri të martën në mbrëmje që ngushtica të hapet.
Izraeli dhe SHBA-ja kanë filluar tashmë të shtojnë sulmet mbi objektivat joenergjetike ditët e fundit, përfshirë goditjen e fabrikave më të mëdha të çelikut dhe petrokimike në Iran, si dhe një urë historike.
“Ata po sinjalizojnë se jemi seriozë, dhe nëse do vijoni të mos pajtoheni për t’i dhënë fund luftës, çmimi që do paguani për ekonominë tuaj do jetë gjithnjë e më i lartë,” tha Avner Golov, një ish-zyrtar i sigurisë kombëtare izraelite dhe tani zëvendëspresident në MIND Israel, një grup këshillimor.

Sulmi ndaj infrastrukturës civile rrezikon shkeljen e ligjit ndërkombëtar. Zyrtarët amerikanë dhe izraelitë kanë thënë se ato janë objektiva legjitime sepse prodhojnë materiale të përdorura nga ushtria e Iranit. Zhvendosja drejt objektivave të infrastrukturës rrezikon ta kthejë konfliktin në një luftë konsumi ekonomik.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike u zotua se do shtojë sulmet ndaj infrastrukturës civile në Izrael dhe në shtetet e Gjirit Persik nëse Trump realizon kërcënimet e tij. Ai është hakmarrë tashmë për sulmet ndaj infrastrukturës së tij duke goditur objekte petrokimike në Bahrein dhe Abu Dabi, dhe duke goditur infrastrukturën e naftës, shkripëzimit dhe energjisë në Kuvajt. Të dielën, Irani goditi zonën industriale Neot Hovav në jug të Izraelit, e cila strehon disa fabrika. Ditë më parë, rafineria më e madhe e naftës e Izraelit në Haifa u godit nga mbetjet e një rakete iraniane, por nuk e ndali prodhimin në vend, thanë autoritetet izraelite.
“Veprimet tuaja të pamatura po i tërheqin Shtetet e Bashkuara në një ferr të gjallë për çdo familje, dhe i gjithë rajoni ynë do digjet sepse ju këmbëngulni të ndiqni urdhrat e Netanyahut,” shkroi kryetari i parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, në një postim në X të dielën pas kërcënimeve të Trump.
Sulmet iraniane ndaj energjisë së Gjirit mund të kenë një ndikim afatgjatë në çmimet globale të energjisë. Çmimet e naftës janë rritur në nivelet e tyre më të larta që nga viti 2022 dhe kërcënojnë të vijojnë rritjen ndërsa anijet mbeten të bllokuara në Gjirin Persik.
Ndërmjetësit po garojnë për të sjellë Iranin në tryezën e bisedimeve me SHBA-në pa sukses, thanë zyrtarët e njohur me çështjen. Irani ka hedhur poshtë ofertat për të hapur Ngushticën e Hormuzit në këmbim të një armëpushimi të përkohshëm, thanë ata.
Irani për momentin duket i përgatitur të rrezikojë dhimbje të mëtejshme ekonomike për sa kohë që mund të vijojë t’u shkaktojë dhimbje armiqve të tij, tha Raz Zimmt, drejtor i programit për Iranin në Institutin për Studimet e Sigurisë Kombëtare me seli në Tel Aviv.
“Ata janë gati të marrin rrezikun,” tha Zimmt.

Edhe nëse Irani heq dorë nga kontrolli i Ngushticës së Hormuzit, asgjë nuk do mund të dalë nga Gjiri nëse objektet petrokimike dhe ato të energjisë dëmtohen rëndë, tha Robin Mills, kreu i Qamar Energy, një firmë konsulence me seli në Dubai.
“Edhe nëse i kthehemi tranzitit normal, një pjesë e atyre pesë milionë fuçive në ditë të materialeve të rafinuara me burim nga Gjiri do humbasin për muaj të tërë, mbase edhe më gjatë,” tha Mills.
Izraeli dhe SHBA-ja po synojnë një ekonomi iraniane që është tashmë e çalë nga vitet e sanksioneve perëndimore për programin e saj bërthamor, zhvillimin e rreketave balistike dhe mbështetjen për grupet terroriste të emërtuara si të tilla nga SHBA. Lufta e ka çuar aktivitetin ekonomik në nivele të reja minimale, thanë banorët.
Në intervista, disa iranianë thanë se çmimet e ushqimeve janë rritur në qiell dhe papunësia është rritur ndërsa fabrikat mbyllen pas bombardimeve. Ata thanë se shqetësoheshin se lufta nuk do rrëzonte regjimin – i cili vrau mijëra protestues në fillim të këtij viti – dhe vetëm do lëndonte njerëzit e thjeshtë që Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u kanë bërë thirrje të përmbysin qeverinë.
Sulmet izraelite ndaj aseteve ekonomike janë përendruar në objektet e çelikut, petrokimike dhe ato farmaceutike, të cilat së bashku përfaqësojnë miliarda dollarë të ardhura për Iranin.
Të hënën, ushtria e Izraelit goditi fabrikën më të madhe petrokimike të Iranit, tha ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz. Objektet ndodhen në Asaluyeh dhe janë përgjegjëse për rreth gjysmën e prodhimit petrokimik të vendit, tha Katz.
Dy ditë më parë, Izraeli goditi një tjetër kompleks kryesor petrokimik në Mahshahr. Javën e kaluar, media shtetërore iraniane tha se fabrikat petrokimike në Tabriz u sulmuan gjithashtu. Në total, Izraeli ka nxjerrë jashtë funksionit pika përgjegjëse për 85% të eksporteve petrokimike të Iranit, tha Katz.
Industria petrokimike është një shtyllë e ekonomisë iraniane, duke sjellë rreth 25% të të ardhurave totale të eksporteve jo nga nafta, tha Neil Quilliam, një ekspert energjie në Chatham House. Ndryshe nga nafta, e cila është e lehtë për t’u mbikëqyrur dhe sanksionuar sepse udhëton me anije të mëdha, produktet petrokimike mund t’u shiten një sërë blerësish privatë, veçanërisht nëpër Azi dhe Turqi, dhe janë një burim i rëndësishëm i valutës së huaj për Iranin, tha Quilliam.

“Këto objekte furnizojnë lëndë të para thelbësore për sektorë të tillë si tekstilet, pjesët e makinave dhe paketimin, duke krijuar pengesa në prodhim, kosto më të larta dhe humbje vendesh pune në të gjithë bazën prodhuese,” tha Quilliam. Industria petrokimike e Iranit i ka sjellë rreth 18 miliardë dollarë Gardës Revolucionare Islamike në dy vitet e fundit, tha të dielën ministri i Mbrojtjes Israel Katz.
Javën e kaluar, Izraeli goditi në zemër të industrisë së çelikut të Iranit, duke goditur fabrikën Khuzestan Steel në qytetin e Ahvazit dhe fabrikën Mobarakeh Steel në qytetin e Isfahanit, dy nga vendet më të mëdha të prodhimit të çelikut në rajon.
Sektori i metaleve i Iranit sjell disa miliardë dollarë të ardhura çdo vit, me shumicën që vjen nga eksportet e çelikut, tha Departamenti i Thesarit në një deklaratë të vitit 2024 rreth Khuzestan Steel. Të dyja pikat e prodhimit të çelikut janë të sanksionuara nga SHBA për lidhjet e tyre me shërbimet e sigurisë së Iranit.
Të martën, ushtria e Izraelit tha se goditi fabrikën farmaceutike Tofigh Daru në Teheran.
Irani ka marrë disa përfitime ekonomike nga lufta, përfshirë aftësinë për të vijuar eksportimin e naftës së tij me çmime të larta ndërsa të tjerët nuk munden, dhe lëshimet e administratës amerikane mbi eksportin e naftës që lejuan Indinë të blinte naftë nga Irani për herë të parë në vite, si dhe kërkimin e tarifave për anijet që kalojnë përmes Hormuzit.
Këto përfitime, megjithatë, tejkalohen nga dëmi që lufta i ka shkaktuar ekonomisë së Iranit, tha Zimmt.
VINI RE: Ky material shtë pronësi intelektuale e WSJ