Republika Islamike e Iranit ka hedhur poshtë zyrtarisht propozimin e mbështetur nga SHBA për një armëpushim të përkohshëm 45-ditor. Përmes agjencisë shtetërore IRNA, Teherani ka bërë të ditur se kërkon një fund të përhershëm të luftës dhe ndryshime rrënjësore rajonale, duke dorëzuar një përgjigje me 10 pika përmes ndërmjetësimit të Pakistanit.
Nga ana tjetër, Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi këtë të hënë se afati i vendosur prej tij për arritjen e një marrëveshjeje, dita e martë, është finale dhe e panegociueshme. Edhe pse e cilësoi propozimin iranian si “domethënës”, ai theksoi se nuk është i mjaftueshëm.
“Ata bënë një propozim dhe është një hap i rëndësishëm, por nuk mjafton. Lufta mund të përfundonte shumë shpejt nëse ata do të bënin atë që duhet të bëjnë. Ata e dinë këtë,” — deklaroi Trump gjatë një aktiviteti në Shtëpinë e Bardhë, përcjell Ynet.
Presidenti amerikan nuk i fshehu tonet e ashpra, duke paralajmëruar pasoja të rënda nëse Teherani nuk tërhiqet nga pozicionet ekstremiste të Gardës Revolucionare (IRGC), të cilët refuzojnë të hapin Ngushticën e Hormuzit.
“Jam shumë i mërzitur. Ata do të paguajnë një çmim të madh për këtë,” — paralajmëroi Trump, duke shtuar se SHBA-të janë gati të largohen, por synojnë ta mbyllin këtë konflikt me sukses.
Në përgjigjen e tyre, iranianët kërkojnë ndalimin e konflikteve në të gjithë rajonin (përfshirë Libanin), heqjen e sanksioneve dhe një kuadër të ri për kalimin e sigurt në Ngushticën e Hormuzit. Ndërkohë, burime nga Izraeli bëjnë me dije se Kryeministri Benjamin Netanyahu ka biseduar për rreth 30 minuta me Trump për të koordinuar hapat e mëtejshëm.
“Vlerësimi ynë është se kjo do të përfundojë me një shpërthim. Garda Revolucionare nuk është e gatshme të largohet nga ideologjia e saj ekstremiste dhe nuk pranojnë hapjen e Hormuzit,” — u shpreh një zyrtar i lartë izraelit.
Aktualisht, bota mbetet në pritje të ditës së martë, e cila konsiderohet si momenti i kthesës: ose drejt një armëpushimi të vështirë 45-ditor të propozuar nga Egjipti, Turqia dhe Pakistani, ose drejt një përshkallëzimi masiv ushtarak.
