Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka zhvilluar një takim me strukturat e degës në Sarandë, ku në fokus kanë qenë organizimi i brendshëm i partisë dhe përgatitjet për protestën e 17 prillit.
Gjatë takimit, Zhupa theksoi nevojën për forcimin e strukturave dhe rritjen e përfaqësimit në çdo nivel, duke njoftuar hapjen e procesit zgjedhor brenda partisë.
“Hapëm zyrtarisht procesin zgjedhor për rinergjizimin e strukturave në terren, një moment i rëndësishëm që garanton një qasje të hapur, gjithëpërfshirëse dhe demokratike për të gjithë anëtarësinë,” u shpreh ajo.
Sipas saj, paralelisht me këtë proces, do të nisë edhe një fushatë e re anëtarësimesh për të zgjeruar bazën e partisë.
“Nisim edhe një fushatë të re anëtarësimesh, me synimin për të zgjeruar dhe fuqizuar më tej bazën tonë, duke afruar energji dhe zëra të rinj në parti,” theksoi Zhupa.
Në takim u diskutua gjithashtu rëndësia e angazhimit në terren dhe komunikimit me qytetarët, si dhe denoncimi i problematikave lokale.
“Në fokus të veçantë ishin takimet me qytetarët dhe denoncimet e vazhdueshme për dështimet dhe abuzimet e pushtetit lokal,” u shpreh deputetja demokrate.
Një tjetër element kyç i diskutimit ishte mobilizimi për protestën e paralajmëruar.
“U theksua mobilizimi për protestën e 17 prillit, një moment kyç për të reaguar dhe për të kërkuar ndryshim dhe një qeveri tranzitore,” deklaroi Zhupa.
Në përfundim, ajo theksoi objektivin për një parti më të fortë dhe më pranë qytetarëve.
“Për një Parti Demokratike më të fortë, më pranë qytetarëve dhe më të vendosur se kurrë përballë regjimit,” përfundoi ajo.
