
Konflikti ushtarak në Lindjen e Mesme dhe intensifikimi i tensioneve gjeopolitike rrezikojnë të shndërrohen në një goditje negative oferte për ekonominë shqiptare.
Banka e Shqipërisë në raportin e politikës monetare për tremujorin e parë të vitit evidenton qartë rrezikun se, në varësi të kohëzgjatjes dhe intensitetit të zhvillimeve, kjo goditje rrezikon të pasqyrohet në rritje të inflacionit dhe frenim të rritjes ekonomike në vend, në përmasa potencialisht të ngjashme me zhvillimet që pasuan fillimin e konfliktit në Ukrainë gjatë vitit 2022.
Raporti vë në dukje se inflacioni i çmimeve të konsumit ka vijuar të luhatet në nivele të ulëta gjatë muajve të fundit, duke qëndruar poshtë, por pranë, objektivit të Bankës së Shqipërisë. Norma e inflacionit shënoi nivelin 2.2% në tremujorin e katërt të vitit 2025 dhe u rrit në nivelin 2.4% gjatë dy muajve të parë të vitit 2026.
Në këndvështrimin e shportës së konsumit, rritja e inflacionit gjatë dy muajve të parë të vitit 2026 pasqyroi shtrenjtimin e çmimit të disa artikujve ushqimorë, rritjen e inflacionit të qirave, si dhe shuarjen e efektit bazë të uljes së çmimit të energjisë një vit më parë.
Megjithatë, pavarësisht luhatjeve mujore, trendet e inflacionit sipas strukturës së shportës mbeten relativisht të qëndrueshme: inflacioni i ushqimeve qëndron në nivele historikisht të ulëta, ndërkohë që çmimi i naftës, ai i disa artikujve të shërbimeve, si dhe ai i qirave, po vijnë në rritje.
Sipas Bankës së Shqipërisë, ecuria e inflacionit gjatë dy tremujorëve të fundit pasqyron efektin rezultant të rritjes së presioneve të brendshme dhe me natyrë më të qëndrueshme kundrejt reduktimit të presioneve të importuara dhe me natyrë afatshkurtër.
Presionet e brendshme inflacioniste vijojnë të ushqehen nga rritja e qëndrueshme e kërkesës për mallra e shërbime dhe nga rritja e pagave dhe e kostove të prodhimit, ndërkohë që pritjet për inflacionin mbeten të ankoruara pranë objektivit.
Nga ana tjetër, presionet e importuara mbeten të ulëta, të ndikuara si nga çmimet e mallrave bazë dhe të konsumit në tregjet partnere, ashtu edhe nga mbiçmimi i vazhdueshëm i Lekut. Kryesisht, këto presione e mbajnë inflacionin nën objektivin 3%.
Megjithatë, lufta në Lindjen e Mesme dhe rritja e çmimeve të naftës shumë shpejt mund të sjellin një valë të re inflacioni.
Pas mbledhjes së fundit, Këshilli Mbikëqyrës u shpreh se vendimmarrja e ardhshme e politikës monetare do të mbetet e bazuar në vlerësimin e rreziqeve sipas të dhënave më të reja.
Sipas deklaratës, Banka e Shqipërisë do të monitorojë me kujdes zhvillimet, duke qenë e gatshme të reagojë me masa të politikës monetare, në kohën dhe në kahun e duhur, për të garantuar stabilitetin monetar dhe financiar të vendit./Monitor