Vendosni fjalën kyçe....

Nafta jashtë kontrollit të shtetit, Rama: Do ta gjurmojmë me teknologji të re


Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me strukturat e Partia Socialiste në Njësinë 4 në Tiranë, ku kërkoi mobilizim për zgjedhjet vendore dhe forcim të organizimit të brendshëm.

Ai theksoi se suksesi elektoral i PS lidhet me organizimin dhe komunikimin me qytetarët, duke kujtuar rezultatin e zgjedhjeve të fundit me 83 mandate. “Fitojmë sepse jemi forca më e madhe dhe më e organizuar në vend,” u shpreh Rama.

Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij ai ia kushtoi reformës në drejtësi, duke e cilësuar si një arritje historike të qeverisë, si dhe procesit të integrimit në Bashkimi Europian, për të cilin tha se po ecën me ritme të shpejta në hapjen e kapitujve negociues.

Në fokus ishte edhe tregu i energjisë dhe çmimi i karburanteve, i ndikuar edhe nga kriza në Ngushtica e Hormuzit. Rama paralajmëroi ndërhyrje konkrete për formalizimin e tregut dhe luftën ndaj kontrabandës së naftës.

“Ne sot kemi problem naftën që është goditur në çmim nga kriza, por që është problem edhe përtej krizës. Nga analizat që bëjmë ka një sasi nafte jashtë radarëve të shtetit,” deklaroi ai.

Sipas kryeministrit, qeveria po bashkëpunon me një kompani ndërkombëtare nga Emiratet e Bashkuara Arabe për të vendosur një sistem të ri gjurmimi, përfshirë një komponent kimik të pamundur për t’u manipuluar, me qëllim identifikimin e naftës së ligjshme dhe frenimin e abuzimeve.

Ai shtoi se do të monitorohet edhe nafta tranzit, një pjesë e së cilës, sipas tij, përfundon në mënyrë të paligjshme në tregun vendas, duke theksuar se këto masa synojnë mbrojtjen e konsumatorëve dhe uljen e abuzimeve me çmimet.

“Ne sot kemi problem naftën që është goditur në çmim nga kriza, por që është problem edhe përtej krizës. Ajo kriza e shkaktuar në Ngushticën e Hormuzit e ka rritur çmimin gjithandej etj, por ne kjo na gjen në kohën kur ne kishim filluar që do hyjmë në tregun e naftës me një faktor publik, një kompani publike. Dhe pse? Në atë kohë nuk kishte lufte. Do hyjmë që të garantojmë që qytetarët, konsumatorët tanë të karburanteve, nuk detyrohen të paguajnë më shumë se sa u takon. Dhe për të siguruar që rezerva të jetë. Kemi pasur një naftë që markohej, i vendosej një komponent kimik për të identifikuar atë që hyn ligjërisht, jo kontrabandë. Ne u përpoqëm ta rregullojmë sa mundeshim. Ishte bojë që hollohej kollaj apo sajohej kollaj. Tani me kompaninë publike që kemi krijuar, bashkë me të njëjtën kompani që ka shteti në Emiratet e Bashkuara Arabe, do nxjerrim për 1-2 muaj një tjetër ngjyrues që është i pa manipulueshëm dhe do ndihmojë për të formalizuar tregun e naftës sepse nga analizat që bëjmë ka një sasi nafte jashtë radarëve të shtetit. Tjetra që ndodh është nafta tranzit, që hyn këtu për të shkuar në vendet e tjera fqinje dhe një pjesë e saj mbetet këtu ilegalisht. Edhe për këtë kemi një produkt me të njëjtën kompani për të ndjekur gjithë naftën tranzit”, tha Rama.