Vendosni fjalën kyçe....

Trump paralajmëron largimin nga NATO, Britania organizon bisedime për Hormuzin


Presidenti i Shtetet e Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se po shqyrton mundësinë e tërheqjes nga NATO, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të përshkallëzohen.

Në një intervistë për “Telegraph”, Trump u shpreh se ndërhyrja ushtarake amerikane ndaj Iranit mund të përfundojë brenda “dy deri në tre javësh”, ndërsa shtoi se do të konsideronte një armëpushim vetëm nëse hapet Ngushtica e Hormuzit.

Nga ana tjetër, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, njoftoi se Londra do të presë këtë javë një takim me dhjetëra vende për të diskutuar situatën në Hormuz, në një përpjekje për të ulur tensionet dhe për të garantuar sigurinë e furnizimeve energjetike.

Ndërkohë, presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaroi se Teherani është i gatshëm t’i japë fund luftës, nëse kundërshtarët garantojnë që konflikti nuk do të rishfaqet.

Në terren, përplasjet mes Izraelit dhe Iranit vazhdojnë, ndërsa sulmet kanë prekur edhe vende të tjera të rajonit dhe kanë shkaktuar dëme të mëdha, përfshirë në Liban.

Pas deklaratave të fundit nga liderët amerikanë dhe iranianë, çmimet e naftës kanë rënë nën 100 dollarë për fuçi, duke reflektuar shpresat për një ulje të tensioneve në një nga pikat më të ndjeshme të tregut global të energjisë.