Kreu i Partia Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se Bashkimi Europian nuk ka votuar raportin IBAR për Shqipërinë, duke akuzuar qeverinë për deformim të realitetit mbi procesin e integrimit.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Berisha theksoi se përfaqësues të BE-së kanë sqaruar se një votim i tillë nuk ka ndodhur, ndërsa pretendimet e kundërta, sipas tij, përbëjnë mungesë serioziteti ndaj vendit.
“IBAR-i nuk është votuar dhe nuk mund të votohet duke u bërë mburojë e korrupsionit dhe duke asgjësuar sistemin e drejtësisë,” u shpreh ai.
Sipas tij, vlerësimet e BE-së për kapitujt që lidhen me liritë, të drejtat dhe shtetin ligjor janë thelbësore për integrimin, ndërsa Shqipëria, sipas Berishës, ka marrë një vlerësim negativ në këto fusha.
Ai drejtoi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë “varrmihës të shtetit ligjor dhe luftës ndaj korrupsionit”.
Në përfundim, lideri i opozitës u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar më 17, të cilën e përshkroi si një “kryengritje paqësore” kundër qeverisë, që ai e quajti “narko-qeveri”.
