Vendosni fjalën kyçe....

Osmani dekoron futbollistët e Kosovës


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar Kombëtaren e Kosovës me Medaljen Presidenciale të Meritave. Në takim ishin të pranishëm, futbollistët e Kombëtares edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, si dhe trajneri i përfaqësueses, Franco Foda.

Në ketë takim Osmani deklaroi se, pavarësisht rezultatit, krenaria që futbollistët i kanë dhënë vendit është e pamatshme dhe nuk mund të shprehet as me fjalë, as me dekorata apo nderime.

Ajo theksoi se ky është vetëm fillimi dhe se përpara i presin suksese edhe më të mëdha.

Sipas saj, vlerësimet për ekipin kanë qenë të jashtëzakonshme, si në arenën ndërkombëtare ashtu edhe brenda vendit, duke i cilësuar ata si befasinë më të bukur të këtyre kualifikimeve.

Kapiteni dhe golashënuesi më i mirë i Kombëtares, Vedat Muriqi ka thënë se është krenar që është pjesë e Kombëtares kosovare, por shprehu zhgënjimin që nuk arriti ta udhëhiqte ekipin në Amerikë, duke thënë se nganjëherë fati zhgënjen.

“Po shpresojmë në të ardhmen të kemi një gjeneratë shumë të mirë, një gjeneratë e artë po vjen…Unë jam shumë krenar me veten që jam pjesë e stafit të Kosovës. Si Kapiten i Kosovës – kisha pas shumë dëshirë me e udhëheq ekipin në Amerikë, por ja, ndonjëherë fati nuk të përcjell. Kështu që, ju falënderoj të gjithëve, në emër të ekipit, edhe shpresoj që tjetrën radhë do të jemi në një kualifikim Evropian ose Botëror”, tha Vedat Muriqi.

Dekorimi për futbollistët e Kosovës është bërë një ditë pas ndeshjes me Turqinë, ku Kosova pësoi humbje me rezultat 0 me 1. Deri te kjo ndeshje Kosova kaloi me sukses shumë sfida, duke iu afruar vetëm një hap Botërorit, shkruan RTK.