
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kritikuar ashpër kryeministrin Edi Rama gjatë një tryeze për reformën territoriale, duke e cilësuar atë si një nismë që shërben interesave të “partisë së krimit”.
Berisha u shpreh se reforma e fundit territoriale, e cila zhduk disa komuna, është “komponent kryesor i platformës për pastrimin e Shqipërisë” dhe një goditje e rëndë për interesat e qytetarëve dhe zhvillimin e vendit. Ai shtoi se vendosja e këtij modeli në një vend me territor kryesisht malor është një absurditet që nuk gjendet as në vendet më të sheshta të botës.
“Ky vend me territorin më malor u vendos në një model të fshirjes së territorit. Dhe sot, kryeinjoranti, një armik që bëri këtë reformë, zbaton paketën e maleve në Maminas. Antireforma që iu bë qeverisë vendore kishte dy kritere themelore: vjedhjen dhe votën. U shuan me një të rënë të lapsit disa komuna,” tha Berisha, duke akuzuar gjithashtu regjistrimin e fundit të INSTAT si “mashtrim dhe shifra të falsifikuara”.
Ai përfundoi duke paralajmëruar qytetarët që të mos besojnë të dhënat zyrtare dhe duke e cilësuar veprimin e qeverisë si një sulm ndaj strukturës vendore dhe demokracisë lokale.