Gjatë seancës në Kuvend, deputeti socialist Erion Braçe ngriti si çështje modelin e tregut të hidrokarbureve që po ndikon në çmimin e naftës, e cila shihet të ketë tendencë rritjeje.
“Duhet të kthejmë vëmendjen nga modeli i tregut që kemi në këtë sektor. Është shumë e rëndësishme që narrativa që synon të fshehë elementë të posaçëm dhe modeli që kemi në tregun e hidrokarbureve të mos gjejë hapësirë të mjaftueshme për të zhurmuar ose fshehur e tërhequr vëmendjen në drejtime të tjera”, tha Braçe.
Deputeti tha se Shqipëria ka çmimin neto më të lartë të hidrokarbureve në rajon.
“Me tregun dhe çmimet e sotme në bursë, ne kemi çmimin neto të hidrokarbureve më të lartë në të gjithë rajonin. Po flas për çmimin neto, pa taksa fare që është më i larti se në Greqi, Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi e Serbi”, u shpreh Braçe.
Ai adresoi edhe shqetësimin për reagimin e furnizuesve të hidrokarbureve, një shoqatë që tha se funksionon si kartel dhe kërcënimet për ndërprerjen e furnizimit cenojnë sigurinë kombëtare.
“Ajo që më bëri përshtypje ishin tonet kërcënuese të një shoqate që funksionon në treg si kartel, tone kërcënuese për të ndërprerë furnizimin, importin e me radhë, janë tone kriminale që kërcënojnë sigurinë kombëtare që duhet të marrin përgjigje duke shembur modelin e tregut të hidrokarbureve që garanton fitime, arrogancë dhe kërcënime nga operatorët në këtë treg”, përfundoi Braçe.
