
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se Uashingtoni dhe Teherani janë duke zhvilluar kontakte “direkte dhe indirekte”, ndërsa shtoi se drejtuesit e rinj të Iranit janë treguar “shumë të arsyeshëm”, përcjell Reuters.
Komentet e tij vijnë në një moment kur konflikti në Lindjen e Mesme vijon të përshkallëzohet dhe mijëra trupa amerikane janë dislokuar në rajon.
“Unë mendoj se do të arrijmë një marrëveshje me ta, jam pothuajse i sigurt, por është e mundur edhe që jo”, tha Trump për gazetarët gjatë udhëtimit me avionin presidencial.
Ndërkohë, Pakistani ka njoftuar se po përgatitet të presë bisedime të mundshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, me synim arritjen e një zgjidhjeje për luftën që ka hyrë në muajin e dytë.
Ministri i Jashtëm pakistanez, Ishaq Dar, deklaroi se vendi i tij është i gatshëm të lehtësojë “bisedime kuptimplota” për një marrëveshje afatgjatë, megjithëse ende nuk është konfirmuar pjesëmarrja e palëve.
Nga ana tjetër, autoritetet iraniane kanë paralajmëruar se nuk do të pranojnë “poshtërim”, ndërsa kryetari i parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf, akuzoi SHBA-në për mesazhe kontradiktore, duke folur për negociata dhe njëkohësisht duke përgatitur opsione ushtarake.
Situata në terren mbetet e tensionuar. Izraeli ka ndërmarrë mbi 140 sulme ajrore në Iran gjatë 24 orëve të fundit, duke goditur baza raketore dhe objektiva të tjera ushtarake, përfshirë zona në Teheran dhe qytete të tjera.
Ndërkohë, Irani ka reaguar me sulme, ndërsa konflikti ka filluar të ndikojë ndjeshëm edhe në ekonominë globale. Bllokimi i Ngushticës së Hormuzit, nga ku kalon rreth 20% e furnizimit botëror me naftë dhe gaz, ka çuar në rritje të fortë të çmimeve të energjisë dhe luhatje në tregjet financiare.
Raportohet gjithashtu se qindra trupa të forcave speciale amerikane janë dislokuar në rajon, duke shtuar spekulimet për një përfshirje më të thellë ushtarake, edhe pse vendime për një ofensivë tokësore ende nuk janë marrë.
Ndërkohë, rebelët Houthi në Jemen, të mbështetur nga Irani, janë përfshirë në konflikt, duke shtuar rrezikun për zgjerimin e mëtejshëm të luftës në rajon.