
Shtetet e Bashkuara kanë lejuar një tanker rus të ngarkuar me naftë bruto të vazhdojë rrugën drejt Kubës, pavarësisht një bllokade de facto të vendosur më herët ndaj furnizimeve energjetike për ishullin.
Anija “Anatoly Kolodkin”, që transporton rreth 730 mijë fuçi naftë, ndodhej pranë ujërave kubane dhe pritet të mbërrijë në portin e Matanzas në fillim të javës.
Vendimi shënon një zbutje të qëndrimit të administratës së Donald Trump, e cila më parë kishte vendosur masa të forta për të ndalur furnizimet me karburant drejt Kubës, si pjesë e presionit ndaj regjimit në Havana, përcjell Reuters.
“ Nëse një vend dëshiron të dërgojë naftë në Kubë, nuk kam problem, qoftë Rusia apo jo,” u shpreh Trump, duke sinjalizuar një ndryshim të qasjes.
Kuba po përballet me një krizë të rëndë energjetike, e cila është përkeqësuar pas ndërprerjes së furnizimeve nga Venezuela dhe presionit amerikan ndaj vendeve të tjera që të mos eksportojnë naftë drejt ishullit. Situata ka shkaktuar ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike dhe vështirësi në sektorë jetikë si shëndetësia dhe transporti.
Tankeri rus pritet të sjellë një lehtësim të përkohshëm, duke mbuluar nevojat për karburant për disa ditë ose javë, sipas vlerësimeve të analistëve.
Lëvizja vjen në një moment tensionesh gjeopolitike, ku SHBA po përpiqet të balancojë presionin ndaj Kubës me shmangien e përshkallëzimit me Rusinë, ndërkohë që konflikti në Lindjen e Mesme ka ndikuar në tregjet globale të energjisë.