
Kontejnerët me mbetjet e dyshuara toksike, që prej rreth një viti e gjysmë ndodheshin në Porto Romano në Durrës, janë zhvendosur këtë të diel në fshatin Vrinë, pranë Shënavlashit, në një hapësirë tjetër.
Lëvizja u bë edhe pas kërkesave të vazhdueshme të banorëve të zonës, të cilët kishin shprehur shqetësime për rrezikun e mundshëm të kontaminimit.
Pamjet tregojnë kamionët që transportojnë kontejnerët drejt vendit të ri të depozitimit.
Ngjarja lidhet me një rast që mori vëmendje ndërkombëtare në verën e vitit 2024, kur 102 kontejnerë të nisur nga porti i Durrësit u rikthyen nga Malajzia, pas dyshimeve se transportonin rreth 2100 tonë mbetje të rrezikshme. Ngarkesa u kthye në Shqipëri në fund të tetorit dhe u vendos në një mjedis privat në Porto Romano, nën masa sigurie dhe monitorim të vazhdueshëm.
Ndërkohë, Prokuroria e Durrësit nisi një hetim të gjerë për zbardhjen e çështjes. Mbi një vit më pas, hetimet çuan në lëshimin e 33 urdhër-arresteve ndaj personave të përfshirë. Sipas organit të akuzës, janë konstatuar shkelje të rënda të legjislacionit mjedisor, jo vetëm nga kompanitë “Kurum” dhe “Sokolaj”, por edhe nga institucione shtetërore si Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Dogana e Durrësit.
Nga masat e dhëna, 20 janë ekzekutuar, ndërsa 8 persona janë lënë në “arrest në burg”, 5 në “arrest shtëpie” dhe 7 të tjerë në “detyrim paraqitjeje”.
Hetimet zbuluan se mbetjet kishin origjinë nga proceset industriale të përpunimit të çelikut në Metalurgjikun e Elbasanit dhe ishin eksportuar drejt Malajzisë. Analizat laboratorike të kryera në Itali në dhjetor 2025 i identifikuan si pluhur nga furrat elektrike me qark, të klasifikuara si mbetje të rrezikshme.
Sipas ekspertëve, këto mbetje përmbajnë nivele të larta zinku dhe hekuri, si dhe elementë të tjerë toksikë, që përbëjnë rrezik serioz për shëndetin e njeriut dhe mjedisin.
Në dosjen hetimore theksohet se kompanitë kishin dijeni për natyrën e rrezikshme të mbetjeve dhe dyshohet se kanë falsifikuar dokumentet për të fshehur përmbajtjen reale. Personat e përfshirë përballen me akuza për kontrabandë mallrash të ndaluara, ndotje të mjedisit, falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre, duke e kthyer këtë rast në një nga skandalet më të mëdha mjedisore në vend.