Një konflikt mes katër personash është regjistruar në një servis makinash në Korçë, ku për pasojë ka mbetur i plagosur një person.
Sipas informacioneve paraprake, gjatë përplasjes brenda servisit në lagjen 10, njëri prej të përfshirëve është goditur me gërshërë dhe është transportuar me urgjencë drejt spitalit për ndihmë mjekësore. I plagosuri është identifikuar si Renaldo Xhixho.
Burime bëjnë me dije se Xhixho është pronar i një servisi që ofron shërbime tapicerie në këtë zonë. Dyshohet se disa persona janë paraqitur pranë biznesit të tij dhe konflikti ka degraduar në dhunë fizike, duke lënë të plagosur pronarin.
Raportohet se edhe persona të tjerë kanë pësuar lëndime, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende të paqarta.
Paraprakisht dyshohet se shkaku i konfliktit mund të lidhet me pakënaqësi të klientëve ndaj shërbimit të ofruar, por gjithçka pritet të sqarohet pas marrjes në pyetje të personave të përfshirë.
