Nga Ersuin Shehu
Shqipëria pritet të ketë një ligj të ri për tregjet e kripto-aseteve, duke përafruar plotësisht direktivën përkatëse europiane të vitit 2023 (MiCA).
Objekti i ligjit është përcaktimi i rregullave dhe kërkesave për ofertën ndaj publikut dhe pranimit për tregtim në një platformë tregtimi të kripto-aseteve, si dhe përcaktimi i kërkesave për
ofruesit e shërbimeve të kripto-aseteve. Ligji do të zëvendësojë ligjin aktual të vitit 2020, “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, por duke detajuar dhe duke saktësuar më tej shumë aspekte të ofertës, tregtimit dhe rregullimit të kripto-aseteve.
Ligji vendos kërkesa për transparencë dhe publikimin e informacionit për publikun në lidhje me emetimin, ofertën ndaj publikut dhe pranimin e kripto-aseteve për tregtim në një platformë tregtimi kripto-asetesh; kërkesat dhe rregullat për autorizim dhe mbikëqyrjen në vazhdimësi të ofruesve të shërbimeve të lidhura me kripto-asetet, emetuesve të tokenave të aseteve dhe tokenave të parasë elektronike, duke përfshirë këtu kërkesat operacionale, organizative dhe ato të qeverisjes së brendshme; kërkesat për mbrojtjen e investitorëve gjatë emetimit, ofertës ndaj publikut dhe pranimit për tregtim të kripto-aseteve; kërkesat për mbrojtjen e klientëve të ofruesve të shërbimeve të lidhura me kripto-asetet; masat për parandalimin e tregtimit të brendshëm, përhapjen e informacionit të brendshëm dhe parandalimin e manipulimit të tregut të kripto-aseteve, me qëllim sigurimin e integritetit të tregjeve të kripto-aseteve.
Ligji do të zbatohet ndaj subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë e emetimit, ofertës ndaj publikut dhe pranimit për tregtim të kripto-aseteve ose ofrimit të shërbimeve të lidhura me kripto-asetet në Republikën e Shqipërisë.
Ligji i ndan kripto-asetet për qëllime rregullimi në tri kategori kryesore: tokene të lidhur me asetet, tokene të parasë elektronike dhe kripto-asetet e tjera, të ndryshme nga dy kategoritë e para.
Token i lidhur me asetet është një lloj kripto-aseti, i ndryshëm nga tokeni i parasë elektronike, i cili synon të mbajë një vlerë të qëndrueshme përmes referimit të vlerës së tij pas një vlere ose të drejte tjetër, përfshirë këtu një ose më shumë monedhave që kanë kurs ligjor.
Tokeni i parasë elektronike përcaktohet një lloj kripto-aseti, i cili përdoret si mjet këmbimi dhe synon të mbajë një vlerë të qëndrueshme përmes referimit të vlerës së tij pas një monedhe që ka kurs ligjor.
Përkufizimi ligjor i kripto-asetit është një përfaqësim digjital i një vlere ose të drejte, i cili mund të transferohet dhe mund të ruhet elektronikisht përmes përdorimit të teknologjisë së regjistrave të shpërndarë ose teknologjive të ngjashme.
Rregullimi dhe mbikëqyrja e tregut të kripto-aseteve me ligjin e ri do të ndahet mes Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) dhe Bankës së Shqipërisë.
AMF do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen dhe kontrollin e ofertës ndaj publikut të kripto-aseteve të ndryshme nga tokeni i aseteve ose tokeni i parasë elektronike, si dhe për autorizimin, mbikëqyrjen dhe kontrollin e ofruesve të shërbimeve të kripto-aseteve, duke përfshirë operimin e platformave të tregtimit të kripto-aseteve, kujdestarinë dhe administrimin e kripto-aseteve për llogari të klientëve, këmbimin e kripto-aseteve kundrejt fondeve apo kundrejt kripto-aseteve të tjera, ekzekutimin e urdhrave të kripto-aseteve për llogari të klientëve, hedhjen në treg të kripto-aseteve, marrjen dhe transmetimin e urdhrave të lidhura me kripto-asetet për llogari të klientëve, këshillimin në lidhje me kripto-asetet, administrimin e portofolit të kripto-aseteve dhe
shërbimet e transfertave të kripto-aseteve për llogari të klientëve. Gjithashtu, AMF do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen dhe parandalimin e abuzimeve të tregut që përfshijnë kripto-asete.
Banka e Shqipërisë do të jetë përgjegjëse për autorizimin dhe mbikëqyrjen e emetuesve të tokenave të parasë elektronike dhe të emetuesve të tokenave të asetit.
Ligji parashikon që Banka e Shqipërisë dhe AMF, përmes marrëveshjes ndërinstitucionale, të përcaktojnë në mënyrë më të detajuar ndarjen e kompetencave dhe detyrave, të vendosin procedurat e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit dhe të ndërmarrin veprime të koordinuara në rast rreziku për stabilitetin financiar, mbrojtjen e investitorëve ose integritetin e tregut.
Emetimi i kripto-aseteve
Sipas projektligjit, emetuesi i kripto-aseteve të ndryshme nga tokeni i aseteve ose tokeni i parasë elektronike, mund t’i ofrojë këto kripto-asete ndaj publikut duke qenë person juridik me seli në Republikën e Shqipërisë, ose në një vend të Bashkimit Europian. Subjekti duhet të hartojë dhe të publikojë një dokument informues për kripto-asetin, të hartojë dhe të publikojë materialet promovuese në lidhje me kripto-asetet në përputhje me rregullat e përcaktuara në projektligj.
Megjithatë, nga detyrimet e mësipërme, përjashtohen ofertat ndaj publikut të kripto-aseteve të ndryshme nga tokeni i aseteve dhe tokeni i parasë elektronike, në rastet kur kripto-asetet iu ofrohen jo më shumë se 150 personave fizikë ose juridikë, në rastet kur veprojnë për llogari të vetë dhe në rastet kur ofertat e kripto-aseteve, të cilat kanë vlerë totale të barasvlefshme ose më të ulët se 1 milion euro, ose vlerën ekuivalente në lekë, brenda një periudhe 12-mujore që nga fillimi ofertës.
Gjithashtu, përjashtim bëjnë rastet kur kripto-asetet iu ofrohen ekskluzivisht klientëve profesionistë, të cilat nuk mund të transferohen ose mbahen nga një klientë joprofesionistë.
Kërkesat e projektligjit nuk zbatohen për ofertat ndaj publikut të kripto-aseteve, të ndryshme nga token aseti ose tokeni i parasë elektronike, në rastet e kripto-aseteve që shpërndahen falas (airdrop), kripto-asetet që përfitohen automatikisht nga nxjerrja e kripto-aseteve si rezultat i mirëmbajtjes së rrjetit DLT, ose verifikimit të transaksioneve (mining), kripto-asetet që shërbejnë si token utilitar duke mundësuar qasje në një mall ose shërbim që ekziston ose është funksional, ose në rastet kur zotëruesi i kripto-asetit ka të drejtën ta përdorë atë vetëm në këmbim të mallrave dhe shërbimeve në një rrjet të kufizuar tregtarësh, të cilët kanë marrëveshje kontraktuale me ofertuesin.
Çdo emetues i kripto-aseteve, të cilat nuk janë tokene të aseteve ose tokene të parasë elektronike, mund të kërkojë pranimin e tyre për tregtim në një platformë tregtimi për kripto-asete, duke plotësuar disa kushte. Kushtet janë që të jetë person juridik me seli në Republikën e Shqipërisë, ose në një vend të Bashkimit Europian, të ketë hartuar, publikuar dhe njoftuar në AMF një dokument informues, si dhe të ketë hartuar dhe publikuar materialet promovuese, në lidhje me kripto-asetet.
Materialet promovuese në lidhje me ofertën për publikun të një kripto-aseti, të ndryshëm nga një token aseti ose tokeni i parasë elektronike, ose në lidhje me pranimin për tregtim të një kripto-aseti të tillë, duhet të identifikohen qartësisht si të tilla, informacioni në to duhet të jetë i drejtë, i qartë dhe jo konfuz, ato duhet të deklarojnë qartë se dokumenti informues i kripto-asetit është publikuar, të tregojnë qartë adresën e faqes së internetit të ofertuesit, subjektit që kërkon pranimin për tregtim, ose operatorit të platformës së tregtimit për kripto-asetin në fjalë, si dhe të mundësojnë një numër telefoni dhe një adresë email-i për të kontaktuar atë subjekt.
Gjithashtu, materialet promovuese duhet të përmbajnë deklaratën se “materiali promovues nuk është shqyrtuar ose miratuar nga asnjë Autoritet i Mbikëqyrjes Financiare. Ofertuesi i kripto-asetit është i vetmi përgjegjës për përmbajtjen e këtij komunikimi”.
Në rastet kur kërkohet dokumenti informues për kripto-asetin, materialet promovuese nuk duhet të shpërndahen përpara publikimit të tij. Megjithatë, kjo nuk e ndalon ofertuesin, subjektin që kërkon pranimin në tregtim, ose operatorin e një platforme tregtimi, për të kryer sondazhe të tregut.
Klientët joprofesionistë, të cilët blejnë kripto-asete të ndryshme nga tokeni i asetit ose tokeni i parasë elektronike, qoftë drejtpërdrejt nga një ofertues ose nga një ofrues i shërbimeve të kripto-aseteve, që liston kripto-asete në emër të atij ofertuesi, kanë të drejtën e tërheqjes nga investimi.
Klientët joprofesionistë, brenda 14 ditësh nga dita e nënshkrimit të marrëveshjes, mund të tërhiqen nga marrëveshja pa asnjë tarifë ose kosto shtesë, si dhe pa dhënë arsyet e tërheqjes. Kjo periudhë do të fillojë nga data e nënshkrimit të marrëveshjes së klientit joprofesionist për të blerë kripto-asetet në fjalë.
Të gjitha pagesat e kryera nga një klient joprofesionist, duke përfshirë çdo tarifë shtesë, duhet të rimbursohen jo më vonë se 14 ditë nga data në të cilën ofertuesi është informuar për vendimin e klientit joprofesionist për t’u tërhequr nga marrëveshja për blerjen e kripto-aseteve.
Ofertuesit e kripto-aseteve do të japin informacion mbi të drejtën e tërheqjes nga investimi në dokumentin informues të kripto-asetit. E drejta e tërheqjes nga investimi nuk do të zbatohet kur kripto-asetet janë pranuar për tregtim përpara blerjes së tyre nga klienti joprofesionist.
Kur ofertuesit kanë vendosur një afat për ofertën publike të kripto-aseteve, e drejta e tërheqjes nuk do të ushtrohet pas përfundimit të periudhës së ofertës.
Në rastet kur oferta publike e një kripto-aseti të ndryshëm nga një token i asetit ose i parasë elektronike anulohet, ofertuesit e këtij kripto-aseti sigurohen që çdo fond i mbledhur t’u kthehet zotëruesve ose blerësve të mundshëm, jo më vonë se 25 ditë pas datës së anulimit.
Tokeni i lidhur me asetet
Tokeni i lidhur me asetet është një lloj kripto-aseti, i ndryshëm nga tokeni i parasë elektronike, i cili synon të mbajë një vlerë të qëndrueshme përmes referimit të vlerës së tij, pas një vlere ose të drejte tjetër, përfshirë këtu një ose më shumë monedhave që kanë kurs ligjor. Këto asete klasifikohen në përgjithësi si monedha me vlerë të qëndrueshme ose stablecoins.
Subjekti që synon të ofrojë ndaj publikut ose të kërkojë pranimin për tregtim të një tokeni të aseteve duhet të jetë një person juridik, i themeluar në Republikën e Shqipërisë, i cili është autorizuar në përputhje me këtë ligj nga Banka e Shqipërisë ose të jetë një institucion i licencuar krediti në vend.
Megjithatë, oferta ndaj publikut ose kërkesa për pranim për tregtim të tokenit të aseteve mund të bëhet edhe nga subjekte të tjera, pas marrjes së dakordësisë me shkrim nga emetuesi i tokenit të asetit dhe përmbushjes së kërkesave të tjera të përcaktuara nga projektligji.
Kërkesat e mësipërme nuk do të zbatohen në rastet kur vlera mesatare e tokenave të asetit të emetuara nga një emetues nuk e kalon 5 milionë euro, ose vlerën ekuivalente në lekë, gjatë një periudhe 12-mujore, ose kur oferta ndaj publikut e tokenit të asetit është e adresuar vetëm ndaj investitorëve të kualifikuar dhe tokeni i asetit mund të mbahet vetëm nga këta investitorë të kualifikuar.
Në këto raste, emetuesit e tokenave të asetit duhet të hartojnë një dokument informues për kripto-asetet, të njoftojnë dokumentin informues, si dhe materialet promovuese tek Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Në rastet kur një subjekt me seli jashtë Republikës së Shqipërisë, i cili është i autorizuar si emetues i tokenit të aseteve në përputhje me rregulloren (BE) 2023/1114 “Për tregjet e kripto-aseteve” synon të ofrojë ndaj publikut ose të kërkojë pranimin për tregtim të një tokeni të aseteve në Republikën e Shqipërisë, subjekti do t’u nënshtrohet procedurave të njohjes nga Banka e Shqipërisë.
Rregullat më të detajuara në lidhje me procedurat dhe dokumentacionin për njohjen në Republikën e Shqipërisë, të subjekteve të autorizuara për ushtrimin e veprimtarisë si emetues të tokenit të aseteve në shtetet anëtare të Bashkimit Europian, do të miratohen me rregullore të Bankës së Shqipërisë.
Një token i aseteve i emetuar nga një institucion krediti, i licencuar nga Banka e Shqipërisë, mund të ofrohet ndaj publikut ose të pranohet për tregtim nëse institucioni i kreditit harton një dokument informues për kripto-asetin, të cilin ia përcjell Bankës së Shqipërisë për miratim, njofton Bankën e Shqipërisë të paktën 90 ditë pune para se të emetojë për herë të parë tokenin e asetit, duke i përcjellë informacionin e nevojshëm teknik rreth asetit.
Institucioni i kreditit që ka njoftuar më parë Bankën e Shqipërisë, në rastet kur emeton një tjetër token aseti, nuk është i detyruar të paraqesë përsëri informacionin, të cilin e ka paraqitur më parë, nëse ai informacion është ende i njëjtë.
Brenda 20 ditëve pune nga marrja e dokumentacionit, Banka e Shqipërisë duhet të vlerësojë nëse dokumentacioni i përcjellë nga subjekti është i plotë.
Institucioni i kreditit nuk mund të bëjë ofertë ndaj publikut dhe nuk mund të kërkojë pranimin për tregtim të tokenit të asetit për sa kohë që njoftimi nuk është i plotë.
Dokumenti informues për kripto-asetin e një tokeni aseti duhet të përmbajë informacion për emetuesin, për tokenin e asetit, për ofertën ndaj publikut të tokenit të asetit, ose pranimin e tij për tregtim, informacion për të drejtat dhe detyrimet e lidhura me tokenin e asetit, informacion për teknologjinë bazë, informacion për rreziqet, informacion për rezervën e aseteve, etj.
Të gjithë informacionet duhet të jenë të sakta, të qarta dhe jo keqorientuese. Dokumenti informues nuk duhet të përmbajë deklarata mbi vlerën e ardhshme të kripto-aseteve.
Dokumenti informues duhet të përmbajë një deklaratë të qartë që tokeni i asetit mund të humbasë vlerën e tij pjesërisht ose plotësisht, mund të mos jetë gjithmonë i transferueshëm, mund të mos jetë likuid, nuk mbulohet nga skemat e kompensimit të investitorëve dhe nuk mbulohet nga skemat e garancisë së depozitave.
Emetuesit e tokenave të asetit duhet të sigurojnë një nivel të fondeve të veta, të cilat duhet të jenë në çdo kohë jo më të ulëta se vlera më e lartë e cilësdo prej shumave 350 mijë euro, 2% e vlerës mesatare të rezervës së aseteve ose një çerek i kostove fikse të vitit të kaluar.
Në rastet kur një emetues ofron ndaj publikut më shumë se një token aseti, vlera e përcaktuar do të jetë shuma e aseteve rezervë që mbështesin secilin token aseti.
Tokeni i parasë elektronike
Subjekti që synon të ofrojë ndaj publikut ose të kërkojë pranimin për tregtim të një tokeni të parasë elektronike brenda Republikës së Shqipërisë, duhet të jetë emetues i tokenit të parasë elektronike dhe i licencuar ose i autorizuar si bankë, ose institucion krediti, ose si institucion i parasë elektronike, si dhe të ketë njoftuar një dokument informues të kripto-asetit te Banka e Shqipërisë dhe ta ketë publikuar dokumentin informues.
Dokumenti informues i kripto-asetit për një token të parasë elektronike duhet të përmbajë informacion mbi tokenin e parasë elektronike, emetuesin e tij, informacion mbi ofertën ndaj publikut të tokenit të parasë elektronike ose pranimin e tij për tregtim, informacion mbi të drejtat dhe detyrimet e lidhura me tokenin e parasë elektronike, informacion mbi teknologjinë bazë, informacion mbi rreziqet, etj.
Dokumenti informues i kripto-asetit duhet gjithashtu të përfshijë të dhëna mbi identitetin e subjektit të ndryshëm nga emetuesi që ofron tokenin e parasë elektronike ndaj publikut, ose që kërkon pranimin e tij për tregtim dhe arsyen pse ai subjekt po ofron atë token ndaj publikut ose po kërkon pranimin e tij për tregtim.
Dokumenti informues i kripto-asetit duhet të paraqitet në formë të përmbledhur dhe të kuptueshme, si dhe duhet të përmbajë të qartë dhe të dukshme, në faqen e parë, deklaratën “Ky dokument informues i kripto-asetit nuk është miratuar nga Banka e Shqipërisë. Emetuesi i kripto-asetit është përgjegjës i vetëm për përmbajtjen e këtij dokumenti.”
Edhe në rastin e tokenit të parasë elektronike, dokumenti informues duhet të përmbajë një paralajmërim të qartë që ky aset nuk mbulohet nga skemat e kompensimit të investitorëve, ose nga skemat e garancisë së depozitave.
Banka e Shqipërisë do të miratojë rregulla më të detajuara, lidhur me standardet teknike të formatit dhe përmbajtjes së dokumentit informues të kripto-asetit.
Emetuesit e tokenave të parasë elektronike e njoftojnë dokumentin informues të kripto-asetit te Banka e Shqipërisë të paktën 20 ditë pune përpara datës së publikimit të tij. Banka e Shqipërisë nuk do të kërkojë miratimin paraprak të dokumentit informues të kripto-asetit përpara publikimit të tij.
Tokenat e parasë elektronike do të konsiderohen si para elektronike në përputhje me legjislacionin në fuqi. Emetuesit e tokenave të parasë elektronike duhet të njoftojnë Bankën e Shqipërisë të paktën 40 ditë pune përpara datës së synuar të ofertës ndaj publikut, ose kërkesës për pranim në tregtim.
Në rastet kur një subjekt me seli jashtë Republikës së Shqipërisë, i cili është licencuar apo autorizuar si bankë, ose institucion krediti ose si institucion i parasë elektronike në një nga shtetet e Bashkimit Europian, synon të ofrojë ndaj publikut ose të kërkojë pranimin për tregtim të tokenit të parasë elektronike në Republikën e Shqipërisë, subjekti do t’u nënshtrohet procedurave të njohjes nga Banka e Shqipërisë.
Rregullat më të detajuara në lidhje me procedurat dhe dokumentacionin për njohjen në Republikën e Shqipërisë, të subjekteve të licencuara apo autorizuara si bankë, ose institucion krediti, ose si institucion i parasë elektronike në një nga shtetet e Bashkimit Europian, miratohen me rregullore të Bankës së Shqipërisë.
Emetuesit e tokenave të parasë elektronike duhet t’i emetojnë këto tokena në vlerë të barabartë me vlerën e fondeve të mbledhura. Me kërkesë të zotëruesit të një tokeni të parasë elektronike, emetuesi i atij tokeni është i detyruar ta shlyejë atë, në çdo kohë, duke e paguar në fonde të ndryshme nga paraja elektronike, në vlerë të barabartë me vlerën monetare të tokenit të parasë elektronike të mbajtur nga zotëruesi i tokenit.
Pavarësisht parashikimeve të legjislacionit në fuqi për institucionet e parasë elektronike, emetuesit e tokenave të parasë elektronike nuk mund të japin interes në lidhje me këto tokena.
Çdo shpërblim ose përfitim tjetër i lidhur me kohëzgjatjen e zotërimit të një tokeni të parasë elektronike nga një zotërues, do të trajtohet si interes.
Fondet e marra nga emetuesit e tokenave të parasë elektronike në këmbim të tokenave të parasë elektronike dhe të ruajtura në përputhje me legjislacionin në fuqi për institucionet e parasë elektronike duhet që të ruhen sipas disa kushteve të përcaktuara në ligj.
Të paktën 30% e fondeve të marra depozitohen gjithmonë në llogari të veçanta në institucione krediti në Republikën e Shqipërisë, ndërsa fondet e mbetura duhet të investohen në asete të sigurta, me rrezik të ulët, që kualifikohen si instrumente financiare shumë likuide me rrezik minimal të tregut, kreditit dhe përqendrimit dhe duhet të jenë të denominuara në të njëjtën valutë zyrtare si ajo që referohet nga tokeni i parasë elektronike.
Ofrimi i shërbimeve të lidhura me kripto-asetet
Projektligji parashikon që subjektet, të cilat kërkojnë të ofrojnë shërbime të lidhura me kripto-asetet brenda Republikës së Shqipërisë duhet të autorizohen si ofrues i shërbimeve të kripto-aseteve nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF).
Për të ofruar këto shërbime, subjekti duhet të jetë institucion krediti, depozitar qendror i titujve, shoqëri komisionere, operator tregu, institucion i parasë elektronike, shoqëri administruese e Sipërmarrjeve të Investimeve Kolektive (SIKT), ose shoqëri administruese e fondeve të investimeve alternative që lejohet të ofrojë shërbime të kripto-aseteve.
Ofruesit e shërbimeve të kripto-aseteve të autorizuar duhet të kenë seli ose degë të regjistruar në Republikën e Shqipërisë, të ofrojnë të paktën një pjesë të shërbimeve të tyre, si dhe një nga drejtorët e tyre të jetë rezident në Republikën e Shqipërisë.
Subjekti që nuk është i autorizuar për të ofruar shërbime të kripto-aseteve nuk mund të përdorë një emër tregtar ose të publikojë materiale promovuese apo të ndërmarrë ndonjë proces tjetër që sugjeron se ai është ofrues i shërbimeve të kripto-aseteve ose që mund të krijojë konfuzion në këtë drejtim. AMF do të përcaktojë në autorizim shërbimet e kripto-aseteve që ofruesit e shërbimeve të kripto-aseteve do të jenë të autorizuar të ofrojnë.
Ofruesit e shërbimeve të kripto-aseteve të autorizuara nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian lejohen të ofrojnë shërbime të kripto-aseteve në Republikën e Shqipërisë, duke kryer procesin e njohjes në AMF.
Një institucion krediti mund të ofrojë shërbime për kripto-asete, nëse i përcjell AMF informacionin e nevojshëm, të paktën 40 ditë pune përpara se t’i ofrojë ato shërbime për herë të parë.
Një depozitar qendror i titujve i autorizuar mund të ofrojë vetëm kujdestari dhe administrim të kripto-aseteve në emër të klientëve, duke i përcjellë AMF-së informacionin e kërkuar, të paktën 40 ditë pune përpara se të ofrojë këtë shërbim për herë të parë.
Gjatë kësaj periudhe, ofruesi i shërbimeve për kripto-asete nuk mund të fillojë ofrimin e shërbimeve për kripto-asete për aq kohë sa njoftimi së bashku me informacionin nuk është i plotë.
Ofrimi i kujdestarisë dhe administrimit të kripto-aseteve, në emër të klientëve, do të konsiderohet i barasvlefshëm me ofrimin, mirëmbajtjen ose operimin e llogarive të titujve në lidhje me shërbimin e shlyerjes të përcaktuar në ligjin që rregullon tregjet e kapitalit.
Gjithashtu, operimi i një platforme tregtimi për kripto-asete do të konsiderohet i barasvlefshëm me operimin e një platforme shumëpalëshe tregtimi dhe operimin e një platforme të organizuar tregtimi, sipas përcaktimeve në legjislacionin për tregjet e kapitalit.
Këmbimi i kripto-aseteve kundrejt fondeve dhe kripto-aseteve të tjera do të konsiderohet i barasvlefshëm me tregtimin për llogari personale të përcaktuar sipas përcaktimeve në legjislacionin për tregjet e kapitalit.
Ky parim do të vlejë edhe për hedhjen në treg të kripto-aseteve, marrjen dhe transmetimin e urdhrave për kripto-asete në emër të klientëve (konsiderohet i barasvlefshëm me marrjen dhe transmetimin e urdhrave në lidhje me një ose më shumë instrumente financiare sipas përcaktimeve në legjislacionin për tregjet e kapitalit), këshillimin në lidhje me kripto-asetet (i barasvlefshëm me këshillimin për investime sipas përcaktimeve në legjislacionin për tregjet e kapitalit), etj.
Një institucion i parasë elektronike i licencuar nga Banka e Shqipërisë mund të ofrojë vetëm shërbime të kujdestarisë dhe administrimit të kripto-aseteve në emër të klientëve dhe shërbime transferimi për kripto-asete në emër të klientëve në lidhje me tokenat e parasë elektronike që ai emeton.
Edhe një shoqëri administrimi SIKTT, ose një shoqëri administruese e fondeve të investimeve alternative, mund të ofrojë shërbime për kripto-asete të barasvlershme me administrimin e portofolave të investimeve dhe shërbimeve joparësore për të cilat është e licencuar sipas legjislacionit në fuqi.
Kërkesat bazë të përcaktuara në projektligj për autorizimin janë që ofruesit e shërbimeve të kripto-aseteve veprojnë me ndershmëri, integritet dhe në mënyrë profesionale, në përputhje me interesin më të mirë të klientëve ekzistues apo potencialë të tyre.
Ata duhet t’u ofrojnë klientëve të tyre informacione të drejta, të qarta dhe jo keqorientuese, duke përfshirë këtu edhe materialet promovuese, të cilat duhet të identifikohen si të tilla. Ofruesit e shërbimeve të kripto-aseteve nuk duhet, qoftë në mënyrë të qëllimshme apo nga pakujdesia, të keqorientojnë një klient lidhur me avantazhet reale ose të perceptuara të ndonjë kripto-aseti.
Ofruesit e shërbimeve të kripto-aseteve duhet të paralajmërojnë shprehimisht klientët për rreziqet që lidhen me transaksionet në kripto-asete.
Në rastet kur ofruesit e shërbimeve të kripto-aseteve operojnë një platformë tregtimi për kripto-asete, këmbejnë kripto-asete me fonde ose me kripto-asete të tjera, japin këshilla në lidhje me kripto-asetet ose administrojnë portofola kripto-asetesh, ata vendosin në dispozicion të klientëve të faqet e internetit përkatëse ku gjenden dokumentet informuese të kripto-aseteve për të cilat ofrojnë këto shërbime.
Ofruesit e shërbimeve të kripto-aseteve duhet të publikojnë informacionin në lidhje me çmimet, kostot dhe tarifat, në një vend të dukshëm në faqen e tyre të internetit.
Ofruesit e shërbimeve të kripto-aseteve duhet të publikojnë, në një vend të dukshëm në faqen e tyre të internetit, informacionin lidhur me ndikimet kryesore negative në klimë dhe ndikimet e tjera negative lidhur me mjedisin të shkaktuara nga mekanizmi i konsensusit që përdoret për emetimin e secilit kripto-aset për të cilin ata ofrojnë shërbime. Ky informacion mund të merret nga dokumentet informuese të kripto-aseteve.
Lidhur me kërkesat prudenciale, ofruesit e shërbimeve të kripto-aseteve duhet të sigurojnë një nivel minimal të mjaftueshëm të kapitalit, sipas disa parashikimeve në anekset e ligjit, ose sa një e katërta e shpenzimeve të përgjithshme fikse të vitit paraardhës, të rishikuara çdo vit.
Kriteri i kapitalit minimal përmbushet nga subjektet nëpërmjet Fondeve të veta, të përbërë nga zërat dhe instrumentet e kapitalit bazë të nivelit të parë, ose me një policë sigurimi që mbulon territoret e Republikës së Shqipërisë ku ofrohen shërbimet e kripto-aseteve.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor
