E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA në Shqipëri, Nancy VanHorn, ka zhvilluar gjatë javëve të fundit një seri takimesh me zyrtarë të lartë të qeverisë shqiptare, ku në fokus kanë qenë prioritetet e bashkëpunimit dypalësh dhe zbatimi i agjendës amerikane.
Në këto takime morën pjesë Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, si dhe ministrat Ermal Nufi, Ferit Hoxha, Enea Karakaçi, Toni Gogu, Besfort Lamallari dhe Erjona Ismaili.
Sipas njoftimit të Ambasadës, VanHorn theksoi përkushtimin ndaj agjendës së Presidentit Donald Trump, duke u ndalur te disa prioritete kyçe, përfshirë eliminimin e karteleve të krimit të organizuar, respektimin nga aleatët e NATO të angazhimeve për shpenzimet në mbrojtje, si dhe garantimin e marrëveshjeve të drejta për kompanitë amerikane që operojnë në Shqipëri.
Ambasada thekson se bashkëpunimi me institucionet shqiptare do të vijojë në funksion të arritjes së rezultateve konkrete, si për qytetarët amerikanë, ashtu edhe për ata shqiptarë.
