Vendosni fjalën kyçe....

Hakerë të lidhur me Iranin thyejnë email-in personal të drejtorit të FBI-së


Një grup hakerësh i lidhur me Iranin ka pretenduar se ka depërtuar në email-in personal të drejtorit të FBI-së, Kash Patel, duke publikuar në internet fotografi dhe materiale të tjera private.

Grupi i quajtur “Handala Hack Team” deklaroi në faqen e tij se Patel tashmë i është shtuar listës së “viktimave të hakuara me sukses”.

Ata publikuan disa imazhe personale, ku ai shfaqet në situata të ndryshme private, si dhe dokumente që pretendohet se janë marrë nga llogaria e tij, sipas Reuters.

Një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë konfirmoi se email-i i Patel është komprometuar dhe se materialet e publikuara duket se janë autentike.

Nga ana tjetër, FBI nuk ka reaguar menjëherë ndaj raportimeve.

Grupi “Handala” prezantohet si një organizatë hakerësh pro-palestinezë, por sipas ekspertëve perëndimorë të sigurisë kibernetike, ai konsiderohet si një nga identitetet e përdorura nga njësitë e inteligjencës kibernetike iraniane.

Reuters nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur përmbajtjen e plotë të email-eve, por adresa e Gmail-it që pretendohet se është thyer përputhet me një adresë të lidhur më parë me Patel në rrjedhje të tjera të të dhënave. Kompania Google, e cila zotëron shërbimin Gmail, nuk ka komentuar menjëherë mbi rastin.

Materialet e publikuara duket se përfshijnë një përzierje komunikimesh personale dhe profesionale që datojnë nga viti 2010 deri në vitin 2019.

Ngjarja vjen në një moment tensionesh të rritura mes SHBA-së dhe Iranit, pas vendimit të Presidentit Donald Trump për të shtyrë përkohësisht sulmet ndaj impianteve energjetike iraniane.