Vendosni fjalën kyçe....

SHBA vendos anije pa pilot në konfliktin me Iranin


Shtetet e Bashkuara kanë vendosur anije detare pa pilot, të njohura si drone detare, në operacionet kundër Iranit, duke shënuar herën e parë që Uashingtoni konfirmon përdorimin e tyre në një konflikt aktiv.

Pentagoni bëri të ditur se këto mjete përdoren për patrullime detare dhe mund të shërbejnë si për mbikëqyrje, ashtu edhe për sulme të mundshme kamikaze. Deri më tani, përdorimi i tyre nuk ishte raportuar publikisht.

Sipas një zëdhënësi të Komandës Qendrore të Pentagonit, Tim Hawkins, këto mjete pa pilot, të ndërtuara nga kompania BlackSea me bazë në Maryland dhe të njohura si Global Autonomous Reconnaissance Craft (GARC) – janë përdorur në kuadër të operacionit amerikan “Epic Fury” kundër Iranit, përcjell Reuters.

Ai deklaroi se këto drone kanë regjistruar mbi 450 orë operimi në det dhe kanë përshkuar më shumë se 2,200 milje detare gjatë patrullimeve në rajon. Hawkins nuk dha detaje për sisteme të tjera pa pilot që mund të jenë në përdorim.

Përdorimi i mjeteve të tilla është rritur ndjeshëm vitet e fundit, sidomos pas luftës në Ukrainë, ku anije të vogla pa pilot të mbushura me eksplozivë shkaktuan dëme të konsiderueshme ndaj flotës ruse në Detin e Zi.

Nga ana tjetër, edhe Irani ka përdorur drone detare për të sulmuar cisternat e naftës në Gjirin Persik të paktën dy herë që nga fillimi i sulmeve nga SHBA dhe Izraeli rreth një muaj më parë. Megjithatë, nuk ka ende indikacione se SHBA i ka përdorur këto mjete për sulme direkte.

Pavarësisht këtij zhvillimi, Marina amerikane ka hasur vështirësi në ndërtimin e një flote të plotë autonome. Projekti, i menduar si një alternativë më e lirë dhe më e shpejtë ndaj anijeve dhe nëndetëseve me ekuipazh, është përballur me vonesa, probleme teknike dhe kosto të larta.

Raportimet e mëparshme kanë treguar se mjetet GARC, të cilat janë rreth pesë metra të gjata, kanë pasur probleme gjatë testimeve, përfshirë edhe përplasje me mjete të tjera gjatë provave ushtarake. Së fundmi, një prej këtyre droneve u bë i papërdorshëm gjatë një testi në Lindjen e Mesme.

Megjithatë, Pentagoni thekson se kjo teknologji mbetet një kapacitet në zhvillim dhe pjesë e strategjisë së Flotës së Pestë amerikane për të rritur kontrollin dhe ndërgjegjësimin mbi aktivitetet në ujërat e rajonit.