Vendosni fjalën kyçe....

Ibrahimaj: Bordi i Transparencës do të funksionojë derisa të stabilizohen çmimet e karburanteve



Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se qeveria synon të minimizojë ndikimin e krizës ndërkombëtare te qytetarët dhe ekonomia në vend.

Gjatë një konference për mediat, Ibrahimaj u ndal te çmimet e karburanteve dhe funksionimi i Bordit të Transparencës, duke theksuar se qëllimi kryesor është mbrojtja e konsumatorëve dhe shmangia e abuzimeve në treg.

“Qëllimi ynë është që efektet e luftës të kenë sa më pak ndikim te konsumatorët. Tregu të funksionojë normalisht dhe të mos abuzojë me situatën e çmimeve, ndërsa të ardhurat e familjeve të mos preken, veçanërisht për pensionistët dhe shtresat në nevojë,” u shpreh ajo.

Ministrja theksoi se nuk janë konstatuar abuzime, ndërsa sqaroi se Bordi është ngritur për të vendosur çmimet ditore të karburanteve dhe do të vijojë të funksionojë pa afat të përcaktuar.

“Bordi nuk ka një afat përfundimi. Do të qëndrojë në funksion deri në normalizimin e çmimeve dhe rikthimin e tyre në nivelet e para krizës. Ne jemi të ndikuar nga konjukturat ndërkombëtare,” tha Ibrahimaj.

Ajo shtoi se karburantet zënë rreth 2% të shportës së konsumit për një familje mesatare, ndërsa për shtresat në nevojë ndikimi më i madh vjen nga çmimet e energjisë elektrike dhe ushqimeve bazë.

Sipas saj, qeveria nuk ka ndryshuar çmimin e energjisë elektrike dhe ka ndërhyrë me paketa mbështetëse për kategoritë më vulnerabël.