Vendosni fjalën kyçe....

Konfindustria mbështet çmimin tavan të naftës, kërkon masa të tjera nga qeveria



Bordi i Transparencës ka njoftuar se çmimi i naftës me pakicë nuk do të tregtohet mbi 203 lekë për litër.

Në një reagim, Konfindustria shprehet se mbështet vendimin e qeverisë për vendosjen e çmimeve tavan për karburantet, si në tregtinë me shumicë ashtu edhe në atë me pakicë. Sipas saj, kjo përbën ndërhyrjen e parë, por të vonuar, në një treg të përballur me pasojat e krizës ndërkombëtare.

Konfindustria thekson se vendet e rajonit kanë ndërmarrë masa të menjëhershme për të zbutur efektet e krizës së lidhur me zhvillimet në Gjirin Persik, ndërsa çmimet aktuale në Shqipëri rezultojnë mbi 8% më të ulëta pas vendosjes së kufirit, çka sipas saj tregon për hapësira të mëdha spekulimi nga operatorët e tregut.

Organizata i kërkon qeverisë që, krahas mbikëqyrjes përmes Bordit të Transparencës, të ndërmarrë edhe masa të tjera:

– uljen e barrës fiskale mbi karburantet dhe taksat e automjeteve në nivelin mesatar të rajonit
– krijimin e një Enti Rregullator të Karburanteve si institucion i përhershëm mbikëqyrës
– rishikimin e strukturës së tregut për të shmangur praktikat e tipit kartel dhe oligopol
– ndërtimin e një rafinerie për përpunimin e naftës vendase, me synim mbulimin e të paktën 30% të nevojave vjetore të vendit.

Konfindustria thekson se vetëm përmes këtyre masave mund të sigurohet një treg më i drejtë dhe më i qëndrueshëm për konsumatorët.