Vendosni fjalën kyçe....

Dy anije me ndihma për Kubën zhduken në Karaibe, nis operacion kërkimi



Marina e Meksikës ka nisur një operacion kërkim-shpëtimi në Detin Karaibe për të gjetur dy anije me vela që transportonin ndihma humanitare drejt Kubës dhe që rezultojnë të zhdukura, përcjell DW.

Anijet ishin nisur nga Isla Mujeres, në shtetin meksikan Quintana Roo, me destinacion Havanën, por nuk mbërritën sipas planit më 24 dhe 25 mars. Në bord ndodheshin nëntë persona me kombësi të ndryshme.

Autoritetet meksikane kanë bërë thirrje për ndihmë nga marinarët dhe institucionet detare në rajon për çdo informacion mbi vendndodhjen e mjeteve, ndërsa kërkimet po kryhen edhe nga ajri përgjatë itinerarit drejt Kubës.

Anijet ishin pjesë e iniciativës “Nuestra America Convoy”, një nismë joqeveritare që synon të dërgojë ndihma për Kubën, e cila po përballet me një krizë të thellë energjetike dhe ekonomike.

Vullnetarët kishin ngarkuar në bord produkte bazë si oriz, fasule, ushqim për fëmijë, ilaçe dhe materiale higjienike për të ndihmuar popullsinë kubane.

Një tjetër anije nga i njëjti konvoj arriti me sukses në Havanë, ndërsa fati i dy mjeteve të tjera mbetet ende i panjohur.

Meksika ka kontaktuar qendra koordinimi të shpëtimit detar në disa vende, përfshirë SHBA-në, Francën, Poloninë dhe Kubën, si dhe përfaqësitë diplomatike të vendeve të origjinës së personave në bord.

Organizatorët e misionit janë shprehur optimistë, duke theksuar se ekuipazhet janë me përvojë dhe anijet janë të pajisura me sisteme sigurie. Megjithatë, mungesa e kontaktit prej disa ditësh ka rritur shqetësimin për fatin e tyre.