
Dorian Teliti ka paraqitur qëndrimin e opozitës lidhur me nevojën për një reformë të re territoriale, duke theksuar se ky proces duhet të ketë në qendër interesat e qytetarëve dhe jo kalkulimet politike. Sipas tij, ndarja territoriale e miratuar rreth 12 vite më parë u hartua larg komuniteteve dhe ka prodhuar pasoja të rënda në funksionimin e pushtetit vendor dhe në cilësinë e shërbimeve publike.
Ai argumenton se dështimi i reformës aktuale reflektohet në disa drejtime kryesore. Sipas Telitit, zonat rurale janë lënë pas dore, ndërsa qytetet janë zhvilluar në mënyrë të pabalancuar, duke krijuar struktura urbane pa standarde të qëndrueshme jetese. Banorët e fshatrave, sipas tij, paguajnë taksa të ngjashme me ato të zonave urbane, por nuk marrin shërbimet bazë që u takojnë.
Në analizën e tij, ai kritikon edhe mënyrën si funksionojnë bashkitë, duke pretenduar se drejtuesit vendorë janë përqendruar kryesisht në zonat qendrore, ndërkohë që periferitë dhe lagjet janë lënë në plan të dytë. Gjithashtu, ai ngriti shqetësimin për mënyrën e administrimit të fondeve publike, duke sugjeruar se një pjesë e tyre nuk është përdorur për investime prioritare si infrastruktura, arsimi apo shërbimet bazë.
Një tjetër pikë kritike, sipas Telitit, lidhet me dobësimin e decentralizimit. Ai pretendon se autonomia vendore është reduktuar, duke i kthyer bashkitë në struktura të varura nga vendimmarrja e qeverisë qendrore dhe duke kufizuar aftësinë e tyre për t’iu përgjigjur nevojave të komunitetit.
Në këtë kuadër, opozita propozon hartimin dhe miratimin e një reforme të re territoriale që, sipas Telitit, duhet të garantojë shërbime më pranë qytetarëve dhe një shpërndarje më të drejtë të burimeve financiare. Ai thekson se synimi është që taksat e paguara nga qytetarët, përfshirë ata në zonat më të largëta, të rikthehen në investime konkrete në komunitetet ku ata jetojnë dhe punojnë.
Teliti argumenton se forcimi i autonomisë financiare të pushtetit vendor do të ndihmonte në uljen e varësisë nga qeveria qendrore dhe do të krijonte më shumë efikasitet në menaxhimin e shërbimeve. Ai sjell si shembull vështirësitë që hasin qytetarët në zonat e thella për të marrë shërbime administrative apo për të transportuar produktet bujqësore për shkak të infrastrukturës së dobët.
Në përfundim, ai thekson se integrimi europian nuk duhet parë vetëm si një proces politik në nivel qendror, por si një transformim që duhet të reflektohet edhe në organizimin territorial dhe zhvillimin e komuniteteve lokale, veçanërisht në zonat rurale.
“NJË REFORMË TERRITORIALE PËR NJERËZIT, JO PËR INTERESAT E PUSHTETIT!
Në një moment kur Shqipëria po lëngon nga pasojat e një ndarjeje ogurzezë që u hartua 12 vite më parë në zyrat e pushtetit dhe jo në rrugët e komunitetit, për opozitën reforma territoriale nuk është thjesht një proces teknik, por një mision për të çmontuar makinerinë e vjetër që la qytetarët pa shërbime dhe pa zë.
Dështimi i reformës aktuale është i gjithëanshëm:
Braktisja e fshatit dhe rrënimi qyteteve: Kjo reformë e ktheu fshatin në “tokë të askujt”, ku banorët paguajnë taksa qyteti por nuk marrin as shërbimet më minimale. Kjo reformë krijoi qytete betoni por pa qytetarë.
Bashkitë si “Kulla Fildishte”: Kryetarët e bashkive u kthyen në feudalë lokalë që shohin vetëm qendrën, ndërsa lagjet dhe periferitë u lanë në harresë totale.
Shpërdorimi dhe korrupsioni i administratës: Fondet që duhej të shkonin për shkolla, kopshte, kanalizime e rrugë, u gllabëruan nga një administratë e fryrë që nuk dinë as ku ndodhen kufijtë e bashkisë së tyre.
Shkatërrimi i decentralizimit: Pushteti dhe autonomia vendore u asgjësuan, duke i kthyer bashkitë në një shtojcë të qeverisë, zyra elektorale bashkiake që funksionojnë vetëm me urdhra politikë dhe jo mbi nevojat e banorëve.
Qëndrimi i Opozitës është i qartë dhe i panegociueshëm:
Ne jemi për të kërkuar, hartuar dhe miratuar një reformë të re territoriale që i shërben qytetarit, jo llogarive elektorale të radhës.
Opozita kërkon kthimin e pushtetit real te qytetari, që shërbimi të jetë pranë shtëpisë dhe biznesit, ndarje të drejtë të buxhetit ku çdo qindarkë e taksapaguesit të fshatit më të largët të kthehet në investim aty ku ai jeton, me një autonomi të plotë financiare që këput zinxhirët e varësisë nga qeveria qendrore.
Nuk mund të ketë Shqipëri europiane nëse një nëne në skajin më të thellë i duhet të udhëtojë 3 orë për një dokument, apo nëse një fermeri i kalben produktet sepse rruga rurale e bashkisë ekziston vetëm në letër.
Integrimi në BE nuk është vetëm proces qendror politik, por transformim territorial që prek drejtpërdrejt komunitetet rurale!”