Deputeti i Belind Këlliçi ka reaguar për rritjen e çmimeve të produkteve bazike dhe të karburanteve, duke paralajmëruar se kjo po krijon një “eksod ditor” të qytetarëve drejt vendeve fqinje për të siguruar jetesën.
Sipas Këlliçit, fenomeni nuk përfshin më vetëm emigrimin afatgjatë, por edhe një largim të përditshëm, ku qytetarët kalojnë kufirin për të blerë naftë dhe ushqime më të lira. Ai thekson se rreth 40 mijë qytetarë largohen çdo vit nga Shqipëria, ndërsa lëvizja e përditshme ekonomike drejt vendeve fqinje është shtuar ndjeshëm.
“Nga ikja përjetë, tek ikja përditë është niveli i ri i krizës për Shqipërinë”, shprehet Këlliçi.
Deputeti i PD apelon se situata nuk është e pashpresë dhe mund të ndryshohet përmes reagimit qytetar dhe politik. Ai kritikon qeverinë për dështimin në sigurimin e jetesës minimale dhe për shpërfilljen e sovranitetit ekonomik të vendit.
“Sado kriminal, ky nuk është fatalitet pa zgjidhje dhe e kemi në dorë ta ndalim këtë përçudnim që nuk u lejon më shqiptarëve të jetojnë brenda vendit pa dalë çdo ditë jashtë për të mbijetuar. Si qytetarë e opozitarë mund t’ja dalim, duke bërë tonën,” thekson Këlliçi.
Ai njofton se ka nisur kërkesa për informacion në Ministrinë e Energjitikës dhe Drejtorinë e Doganave për të marrë të dhëna mbi sasitë e zhdoganuara, çmimet dhe importet, për të ndihmuar në adresimin e krizës.
