Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, gjatë vizitave të saj në terren në Tiranë dhe Shkodër, ngriti shqetësimin për krizën e thellë që po kalon sektori fason në Shqipëri, një nga sektorët më të rëndësishëm të punësimit dhe eksporteve në vend.
Sipas saj, problemet janë të njëjta në të gjithë vendin dhe lidhen drejtpërdrejt me zhvlerësimin e euros, i cili ka rritur kostot e prodhimit me rreth 30%. Kjo situatë ka goditur rëndë konkurrueshmërinë e kompanive shqiptare, duke bërë që shumë prej tyre të humbasin kontrata të rëndësishme ndërkombëtare, veçanërisht në tregun italian.
Tabaku solli shembullin e një kompanie fason që deri pak kohë më parë operonte me disa kontrata eksporti, ndërsa sot mezi mbahet në këmbë me vetëm një të tillë.
Ajo theksoi se bizneset përballen çdo ditë me një barrë të rëndë fiskale, duke përfshirë taksat e larta, kostot e rritura nga paga minimale, si dhe tarifat dhe procedurat doganore, të cilat sipas saj krijojnë një disavantazh të drejtpërdrejtë krahasuar me vendet e rajonit.
Në këtë kontekst, Tabaku vuri në dukje se sektori fason ndodhet sot në mbijetesë, ndërsa mungesa e politikave mbështetëse rrezikon jo vetëm bizneset, por edhe vendet e punës për qindra punonjës.
Ajo theksoi nevojën emergjente për politika të dedikuara për produktet “Made in Albania” dhe për mbështetje konkrete të fuqisë punëtore, veçanërisht grave që mbajnë mbi supe këtë sektor.
Deputetja e PD-së nënvizoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së të rinjve të arsimuar në këtë industri, përmes investimeve në teknologji dhe modernizim, si një mundësi për ta kthyer sektorin në një motor të qëndrueshëm zhvillimi dhe eksporti.
Në përfundim, Tabaku theksoi se situata aktuale është rezultat i një ekonomie të deformuar nga informaliteti dhe pastrimi i parave, që sipas saj po dëmton drejtpërdrejt sektorët prodhues dhe punën e ndershme të qytetarëve shqiptarë.
