
Partia Mundësia do garojë për të gjitha bashkitë e vendit me kandidatët e saj për kryetarë bashkish dhe këshilla bashkiakë.
Kreu Agron Shehaj tha përmes një videomesazhi se ka nisur puna për organizimin e zgjedhjeve vendore.
Deputeti shton se ka nisur takimet me kandidatët e interesuar që duan të garojnë.
“Të dashur miq, jemi mbledhur me koordinatorët e Partisë Mundësia, që mundësuan mbledhjen e 100 mijë firmave në mbrojtje të drejtësisë dhe të luftës kundër korrupsionit. Dukej e pamundur që do të arrinim të mblidhnim një numër kaq të madh firmash.
Më lejoni të falënderoj secilin prej jush, secilin prej 100 mijë firmëtarëve që patën besim tek iniciativa jonë. Tani puna e Partisë Mundësia nuk mbaron me kaq, përkundrazi. Tani fillon organizimi për zgjedhjet për Bashkitë. Nuk është shumë shpejt, përkundrazi. Mund të jemi edhe shumë vonë. Ne do të jemi prezentë në të gjitha Bashkitë e Shqipërisë me kandidatët tanë për Bashkitë dhe për këshilltarët bashkiakë. Sot kemi filluar dhe me takimet me kandidatë që duan, me qytetarë që duan të na afrohen dhe duan të bëhen pjesë e garës për Bashkitë në të gjithë Shqipërinë. Pres nga secili prej jush që të vijë, të propozohet, të na bashkohet. Kemi nevojë për mbështetjen e të gjithëve. Na duhen pothuajse 1600 kandidatë për këshillat bashkiakë. Partia Mundësia në zgjedhjet e ardhshme do të hyjë në çdo Bashki të Republikës së Shqipërisë. Pres nga ju që të vetëkandidoheni dhe të na kontaktoni. Ju presim.” – thotë Shehaj në videomesazh.