Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka publikuar një video ku vë përballë dy deklarata të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për tërheqje nga premtimet për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimi Europian.
Në videon e publikuar, Bardhi risjell një deklaratë të Ramës në mars 2025, pak para zgjedhjeve, ku ai premtonte se shqiptarët do të gëzonin të drejta të plota si qytetarë të BE-së.
“Me pasaportën e BE-së, çdo shqiptar dhe shqiptare do të fitojë të drejtën të votojë, edhe për Parlamentin Europian,” është shprehur Rama në atë kohë.
Ndërsa në një deklaratë të bërë ditët e fundit, Rama ka mbajtur një qëndrim ndryshe.
“Pse duhet ne patjetër që, që në momentin e parë, të kemi edhe deputetët tanë në Parlamentin Europian?” u shpreh ai, duke relativizuar pritshmëritë për përfaqësimin e menjëhershëm në institucionet europiane.
Bardhi e cilësoi këtë ndryshim si një tërheqje të qartë nga premtimet elektorale. Sipas tij, “ky ndryshim rrënjësor në një kohë kaq të shkurtër tregon sa shumë i ka mashtruar Rama shqiptarët.”
Ai përdori edhe ironi ndaj kryeministrit, duke iu referuar shprehjes “noc rrokun”, për të theksuar se, sipas tij, me këtë qasje nuk mund të pritet përparim real në procesin e integrimit europian.
Sipas Bardhit, publikimi i videos është pjesë e një serie reagimesh për të evidentuar, siç ai pretendon, dështimet e qeverisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
