
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i ka kthyer përgjigje kreut të Kuvendit, Niko Peleshit, lidhur me kërkesën për të propozuar deri më 3 prill ndryshime në Rregulloren e Kuvendit.
Në reagimin e tij, Blushi thekson se ekziston paqartësi mbi procesin e kërkuar nga Kuvendi, duke vënë në pikëpyetje bazën dhe iniciatorët e këtij procesi.
Ai kujton se ndryshimet e fundit në Rregulloren e Kuvendit janë miratuar në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca, përmes vendimit nr. 57, datë 16.09.2025, dhe më pas janë shfuqizuar si të papajtueshme me Kushtetutën nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, më 23.02.2026. Sipas tij, vendimi ende nuk është zbardhur, ndërsa autoritetet duhet të presin publikimin e tij.
“Në shkresën tuaj ju shpreheni se ‘në kuadër të procesit të vlerësimit të nevojave për ndërhyrje dhe përmirësime të Rregullores së Kuvendit’, por pa specifikuar se për çfarë procesi bëhet fjalë, nga kush është ndërmarrë dhe po kryhet ky proces vlerësimi dhe si ka lindur kjo nevojë”, thuhet në përgjigje.
Blushi i bën thirrje kryetarit të Kuvendit të tregojë maturi institucionale dhe të respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se këto vendime duhet të kalojnë për shqyrtim në strukturat përkatëse parlamentare.
“Çdo proces i njëanshëm për të ndryshuar rregullat e funksionimit demokratik të Kuvendit të Shqipërisë është minim i mundësisë së bashkëpunimit dhe bashkëveprimit demokratik mes palëve politike”, shprehet ai.
Në përfundim, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë kërkon sqarime të mëtejshme mbi procesin e nisur, duke theksuar rëndësinë e respektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në një shoqëri demokratike dhe duke shprehur shqetësim për atë që e cilëson si injorim nga ana e drejtuesve të Kuvendit dhe mazhorancës.