
Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar kategorikisht kushtet e paraqitura nga Irani për arritjen e një marrëveshjeje që do t’i jepte fund luftës në Lindjen e Mesme, duke i cilësuar ato si “të çuditshme dhe jorealiste”.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, të cituara edhe nga Ynet, një zyrtar amerikan deklaroi se kërkesat e Teheranit janë të papranueshme dhe e bëjnë shumë të vështirë arritjen e një marrëveshjeje paqeje.
Irani, përmes Gardës Revolucionare, ka vendosur një sërë kushtesh të forta për t’u rikthyer në negociata, ndër të cilat:
- Mbyllja e të gjitha bazave ushtarake amerikane në Gjirin Persik
- Pagesa e dëmshpërblimeve për sulmet ndaj territorit iranian
- Heqja e plotë e sanksioneve ekonomike
- Garantimi që lufta nuk do të rifillojë
- Ruajtja e programit të raketave pa kufizime
- Një regjim i ri në Ngushticën e Hormuzit që do t’i lejonte Iranit të mbledhë tarifa nga anijet
Këto kushte janë konsideruar nga pala amerikane si të tepruara dhe jashtë realitetit të negociatave.
Ndërkohë, përplasjet ushtarake në rajon vijojnë me intensitet, ndërsa përpjekjet diplomatike po zhvillohen përmes ndërmjetësve si Pakistani, Egjipti dhe Turqia.
Megjithatë, nuk ka ende konfirmim për negociata direkte mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa qëndrimet e ashpra nga të dyja palët rrezikojnë të zgjasin konfliktin dhe të komplikojnë çdo mundësi për armëpushim.