
Policia e Shtetit ka arrestuar autorin e dyshuar të plagosjes me armë zjarri të një 39-vjeçari, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Kavajë, rreth orës 20:30.
Falë reagimit të shpejtë të uniformave blu, u bë i mundur identifikimi, lokalizimi dhe vënia në pranga e shtetasit me inicialet P. M., 42 vjeç, i cili dyshohet se plagosi me pistoletë shtetasin B. D., 39 vjeç, banues në Rikaj. I plagosuri ndodhet në Spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë operacionit u arrestua edhe shtetasi A. Ç., 35 vjeç, i cili dyshohet se e ndihmoi autorin të largohej nga vendi i ngjarjes, duke e transportuar me automjet drejt Durrësit.
Sipas Policisë, pas disa orësh kërkime u bë e mundur edhe gjetja dhe sekuestrimi i armës së zjarrit tip pistoletë, të cilën autori e kishte hedhur gjatë largimit.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta. Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.