Vendosni fjalën kyçe....

Përplasje në aeroportin e Nju Jorkut, humbin jetën piloti dhe bashkëpiloti i avionit Air Canada



Një aksident ajror ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në Aeroportin LaGuardia, ku një avion i Air Canada Express është përplasur me një automjet zjarrfikës gjatë uljes, përcjell Reuters.

Si pasojë e përplasjes kanë humbur jetën piloti dhe bashkëpiloti i avionit, ndërsa dhjetëra persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, raportojnë mediat amerikane.

Avioni tip CRJ-900, i operuar nga kompania partnere Jazz Aviation, po udhëtonte nga Montreal drejt Nju Jorkut dhe kishte në bord 72 pasagjerë dhe 4 anëtarë të ekuipazhit. Sipas të dhënave paraprake, mjeti ajror u përplas me automjetin e emergjencës me një shpejtësi rreth 39 km/h gjatë uljes në pistë.

Automjeti zjarrfikës, i cili drejtohej nga efektivë policie, ishte duke iu përgjigjur një tjetër emergjence në pistë në momentin e përplasjes. Dy efektivë kanë pësuar dëmtime, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë dëmtime të dukshme në pjesën e përparme të avionit, ndërsa autoritetet ndërhynë menjëherë për menaxhimin e situatës.

Pas incidentit, aeroporti u mbyll përkohësisht, ndërsa disa fluturime u devijuan drejt aeroporteve të tjera në zonën e Nju Jorkut. Hetimet për shkaqet e aksidentit janë në vijim.