
Partia Demokratike pritet të zhvillojë sot në orën 18:00 protestën e radhës në Tiranë, në vijim të aksionit opozitar kundër qeverisë.
Në fokus të tubimit janë kërkesat për largimin e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie teknike dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Protesta e kësaj të diele përkon me festën e Sulltan Novruzit, ndërsa demokratët i kanë dhënë edhe një simbolikë historike, duke e lidhur me 22 marsin e vitit 1992, datë që shënon fitoren e tyre në zgjedhjet e para pluraliste pas rënies së komunizmit.
Një ditë më parë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive, duke e cilësuar protestën si “kryengritjen më të madhe paqësore” të opozitës.