Vendosni fjalën kyçe....

Shtetet e Gjirit mund të “ndërmarrin veprime” ndërsa lufta në Iran rrezikon të përshkallëzohet


Vendet e Gjirit kanë paralajmëruar se mund të detyrohen të ndërmarrin veprime nëse lufta që përfshin Iranin vijon, tha ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, duke theksuar shqetësimin në rritje se lufta mund të shndërrohet në një krizë rajonale më të gjerë.

Duke folur pas një turi rajonal që përfshiu Arabinë Saudite, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Fidan u tha gazetarëve në Ankara të shtunën se zyrtarët që ai takoi – përfshirë gjatë bisedimeve në Riad – e shohin luftën që të vijojë edhe për dy deri në tre javë të tjera, me nivele rreziku që rriten vazhdimisht.

Ai tha se shtetet e Gjirit e bënë të qartë që në fillim se nuk do lejonin që hapësira e tyre ajrore apo bazat e tyre të përdoren kundër Iranit dhe nuk do bëheshin palë në luftë. Në të njëjtën kohë, ata akuzuan Iranin për shënjestrim të qëllimshëm jo vetëm të instalimeve ushtarake, por edhe të infrastrukturës civile dhe aseteve ekonomike.

‘Lufta mund të zgjasë më shumë’

Fidan paralajmëroi se trajektorja e luftës mund të ndryshojë më tej, duke vënë në dukje shenjat e mosmarrëveshjeve midis Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

“Izraeli do përpiqet të ndikojë te SHBA-ja dhe do kërkojë të parandalojë një armëpushim ose arritjen e paqes në afat të shkurtër,” tha ai.

“Ka pasur një vlerësim në rritje se pozicionet fillestare të SHBA-së dhe Izraelit po largohen nga njëri-tjetri. Kjo, nga ana tjetër, mund të çojë në një luftë më të gjatë.”

Ai shtoi se negociatat ndërsa luftimet vijojnë duken të pashpresa, por skicoi një rrugë të mundshme: një armëpushim afatshkurtër që mund të hapë hapësirë për bisedime, duke lënë ende të hapur mundësinë e rinisjes së armiqësive nëse diplomacia dështon.

“Izraeli mund të miratojë një politikë të zgjatjes së luftës sa më shumë që të jetë e mundur me qëllim që t’i shkaktojë dëm më të madh Iranit,” tha Fidan, duke argumentuar se pengesa kryesore nuk është mungesa e planeve për t’i dhënë fund luftës, por mungesa e vullnetit për të kërkuar paqen.

Bisedimet e Riadit kërkojnë ‘gjuhë të përbashkët’

Fidan tha se një takim i 19 marsit në Riad bëri bashkë vendet rajonale të prekura direkt ose tërthorazi nga lufta, me qëllim formimin e një vlerësimi të përbashkët të gjendjes.

“Takimi u mbajt për të mbledhur vlerësimet e vendeve rajonale… Ishte i menduar si një përpjekje për të kërkuar gjuhë të përbashkët,” tha ai, duke shtuar se pjesëmarrësit nënvizuan urgjencën e gjendjes. Ai vuri në dukje se ndërsa takimi u përqendrua kryesisht në veprimet e Iranit, Turqia u sigurua që shqetësimet mbi rolin e Izraelit të pasqyroheshin gjithashtu në deklaratën e përbashkët, veçanërisht lidhur me atë që Ankara e sheh si politika ekspansioniste, shkruan TRT.