Liderja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodríguez, ka rikrijuar komandën e lartë ushtarake një ditë pas emërimit të ministrit të ri të mbrojtjes.
Sipas saj, ndryshimet synojnë të garantojnë “sovranitetin, paqen, stabilitetin dhe integritetin territorial” të vendit.
Këto ndryshime vijnë pas sulmit të SHBA-së që çoi në kapjen e presidentit Nicolás Maduro në fillim të janarit dhe pas përpjekjeve të Rodrígues për të distancuar qeverinë e saj nga sundimi i mëparshëm, duke ristabilizuar marrëdhëniet diplomatike me Washingtonin në fillim të marsit.
Në rangun e lartë ushtarak, Dilio Alejandro Agüero Montes është emëruar komandant i marinës, Royman Antonio Hernández Briceño komandant i forcave ajrore, dhe Rubén Darío Belzares Escobar komandant i ushtrisë, shkruan BBC.
Më parë, Rodríguez kishte larguar Vladimir Padrino López si ministër i mbrojtjes, dhe në vend të tij emëroi Gustavo González López, i cili ka drejtuar dy herë shërbimin e inteligjencës së Venezuelës (Sebin) gjatë qeverisjes së Maduros nga 2014-2018 dhe 2019-2024.
Organizata për të drejtat e njeriut Provea e ka kritikuar këtë emërim si një “riciklim të pandëshkueshmërisë”, ndërsa Human Rights Watch ka paralajmëruar se González López duhet hetuar për shkelje serioze të të drejtave të njeriut, përfshirë torturën dhe arrestime arbitrare.
Në 2015, ai ishte i sanksionuar nga administrata e Barack Obama për përgjegjësi në dhunë dhe shkelje të të drejtave gjatë protestave në Venezuelë.
Megjithatë, Rodrígues ka shprehur besimin e saj të plotë në integritetin dhe aftësitë udhëheqëse të González López për rolin e ri, duke mirëpritur ministrin dhe ekipin e tij ushtarak në pallatin presidencial të enjten.
