Vendosni fjalën kyçe....

IEA: “Punoni nga shtëpia dhe ulni shpejtësinë”, masat për të përballuar krizën e energjisë



Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka prezantuar një sërë masash për të lehtësuar barrën e konsumatorëve nga rritja e çmimeve të energjisë, e lidhur me tensionet e fundit në Lindjen e Mesme.

Drejtori ekzekutiv i agjencisë, Fatih Birol, bëri të ditur se propozimet përfshijnë hapa të menjëhershëm që mund të ndërmarrin qeveritë, bizneset dhe familjet, si puna nga shtëpia, ulja e kufijve të shpejtësisë në autostrada me të paktën 10 km/orë dhe shmangia e udhëtimeve ajrore kur ekzistojnë alternativa të tjera transporti.

Sipas tij, konsumatorët inkurajohen gjithashtu të përdorin energjinë elektrike për gatim në vend të gazit, ndërsa industria duhet të optimizojë përdorimin e hidrokarbureve. Këto masa synojnë të ulin presionin mbi tregjet e energjisë dhe të zbusin ndikimin e krizës që ka rritur shqetësimet për inflacion në nivel global.

Këto propozime vijnë pas vendimit për lirimin e një sasie rekord prej 400 milionë fuçish nafte nga rezervat strategjike, një ndërhyrje e jashtëzakonshme për të stabilizuar çmimet dhe për të mbështetur furnizimin në tregun ndërkombëtar.