Ka marrë një zhvillim të ri operacioni policor i koduar “Kurtaj”, ku në një magazinë në fshatin Kurtaj, Njësia Administrative Gjocaj, u zbuluan rreth 4000 bimë kanabisi të kultivuara në ambiente të mbyllura.
Burime bëjnë me dije se drejtori i IEVP Rrogozhinë, Bilal Hasa, është dorëzuar në polici pas shpalljes në kërkim.
Sipas të njëjtave burime, ai ka mohuar çdo përfshirje në veprimtarinë e paligjshme, duke deklaruar se nuk ka lidhje me kultivimin e kanabisit në objektin në pronësi të tij.
Mësohet se Hasa ka pohuar se prej disa muajsh nuk ka shkuar në magazinë dhe nuk ka pasur dijeni për atë që zhvillohej aty.
Ndërkohë, hetimet kanë ngritur edhe një pistë tjetër, sipas së cilës lidhja e paligjshme e energjisë elektrike në godinë mund të jetë kryer nga vëllai i tij, i cili jeton në zonë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, operacioni “Kurtaj” u zhvillua nga strukturat për Krimet në Volum, në bashkëpunim me DVP Elbasan dhe Komisariatin e Policisë Peqin, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit.
Gjatë kontrollit në bodrumin e magazinës u zbuluan dy ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ku ishin mbjellë rreth 4000 rrënjë kanabisi. Po ashtu u sekuestruan llamba, neonë dhe pajisje të tjera elektrike që dyshohet se përdoreshin për këtë aktivitet.
Në kuadër të këtij operacioni, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” është shpallur në kërkim edhe një shtetas me iniciale E. M., me detyrë përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht skemën dhe për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.
