Vendosni fjalën kyçe....

Berisha nga Brukseli: Po rritet mbështetja ndërkombëtare për opozitën, shtohen masat ndaj qeverisë



Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi nga Brukseli se mbështetja ndërkombëtare për opozitën shqiptare është në rritje, ndërsa, sipas tij, po shtohen edhe masat ndëshkuese ndaj qeverisë së Edi Ramës.

Duke folur pas pjesëmarrjes në samitin e Partisë Popullore Evropiane, Berisha bëri të ditur se në këtë takim morën pjesë liderë shtetesh, kryeministra dhe drejtues të partive të qendrës së djathtë nga vendet e Bashkimit Evropian dhe ato në proces integrimi. Ai theksoi se gjatë takimeve ka prezantuar situatën politike në Shqipëri, të cilën e cilësoi si “dramatike”.

Sipas tij, samiti, i zhvilluar në kuadër të 50-vjetorit të Partisë Popullore Evropiane, u fokusua në çështje të rëndësishme globale, si kriza energjetike e lidhur me zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe lufta në Ukrainë, për të cilën u riafirmua mbështetje e plotë ndaj Kievit përballë agresionit rus. Një tjetër temë ishte konkurrueshmëria në Bashkimin Evropian dhe koordinimi i politikave mes qeverive të djathta.

Berisha u shpreh se Shqipëria është larguar nga standardet evropiane dhe iu referua një raporti ndërkombëtar që e klasifikon vendin si “autokraci elektorale”. Sipas tij, ndërkombëtarët po bëhen gjithnjë e më kritikë ndaj qeverisë dhe më mbështetës ndaj opozitës.

Duke folur për protestën e paralajmëruar më 22 mars, Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë, duke e cilësuar atë si një “kryengritje paqësore” për të ngritur zërin kundër qeverisë.

Në vijim, ai deklaroi se çështja e Belinda Ballukut lidhet drejtpërdrejt me kryeministrin Rama, duke e cilësuar atë si “dosja Rama”. Sipas Berishës, edhe çështje të tjera, si ajo e AKSHI-t, janë të lidhura me familjen e kryeministrit, duke shtuar se Rama ndodhet në një situatë të vështirë politike.