
Komisioni Evropian ka konfirmuar heqjen e të gjitha masave financiare ndaj Kosovës, duke zhbllokuar një pjesë të rëndësishme të ndihmës që ishte pezulluar më parë.
Konfirmimi u bë gjatë një debati në Parlamentin Evropian për raportin mbi Kosovën, ku përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Jiri Plecity, deklaroi se tashmë është liruar e gjithë ndihma financiare që ishte vendosur nën masa. Ai theksoi se institucioni që përfaqëson do të riangazhohet plotësisht me autoritetet në Kosovë për të rikthyer vendin në rrugën e integrimit evropian.
Sipas një zëdhënësi të Komisionit Evropian, pas përfundimit të procedurave të brendshme, është bërë e mundur lirimi i 205 milionë eurove të mbetura të asistencës financiare. Ky vendim pason njoftimin e bërë në dhjetor 2025 nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për heqjen e plotë të masave.
Fondi i zhbllokuar përfshin 74 milionë euro për projekte në kuadër të programeve vjetore IPA për vitet 2021 dhe 2022, si dhe 131 milionë euro për projekte në kuadër të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
Zyrtarët evropianë theksojnë se, pas këtij vendimi, Kosova pritet të përshpejtojë zbatimin e reformave të kërkuara për integrimin në Bashkimin Evropian dhe të avancojë në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja.
Ndërkohë, Komisioni Evropian dhe Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm do të vijojnë të monitorojnë nga afër zhvillimet dhe progresin e Kosovës në këtë drejtim.