
Mijëra mbështetës të politikanit opozitar turk Ekrem Imamoglu u mblodhën në sheshin Sarachane në Stamboll për të shënuar njëvjetorin e arrestimit të tij dhe nisjen e protestave mbarëkombëtare, përcjell DW.
Ish-kryebashkiaku i Stambollit, i konsideruar si një nga rivalët kryesorë të presidentit Recep Tayyip Erdogan, u arrestua më 19 mars 2025 me akuza për terrorizëm dhe korrupsion, një ditë pasi iu hoq diploma universitare. Më 23 mars ai u shkarkua zyrtarisht nga detyra dhe prej atëherë mbahet në paraburgim në zonën e Silivrit.
Gjyqi ndaj tij ka nisur këtë muaj, ndërsa prokuroria kërkon një dënim deri në 2,430 vite burg. Në një mesazh të lexuar gjatë tubimit, Imamoglu deklaroi se procesi ndaj tij nuk synon drejtësinë, por shmangien e humbjes në zgjedhje.
Tubimi u organizua nga Partia Republikane Popullore, ndërsa lideri i saj, Ozgur Ozel, e cilësoi arrestimin e Imamoglut si një “grusht shteti civil”. Gjatë protestës, pjesëmarrësit brohorisnin slogane në mbështetje të tij dhe kundër qeverisë, nën një prani të shtuar të forcave të policisë.
Pas fitores së opozitës në zgjedhjet vendore të vitit 2024, autoritetet turke kanë ndërmarrë një valë hetimesh dhe arrestimesh ndaj zyrtarëve të opozitës, ku Imamoglu është një nga 15 kryebashkiakët e burgosur.
Analistët vlerësojnë se ai ka shumë pak gjasa të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të ardhshme, të planifikuara deri në vitin 2028, për shkak të proceseve gjyqësore dhe kontestimit të diplomës së tij, një kriter i domosdoshëm për kandidim.
Megjithatë, mbështetësit e tij shprehen të vendosur për të vijuar protestat dhe për të kërkuar lirimin e tij, duke e konsideruar çështjen si politike.