Vendosni fjalën kyçe....

Trump: Shumë vende do të dërgojnë anije luftarake për të mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi të shtunën se disa vende do të dërgojnë anije luftarake në bashkëpunim me SHBA-në për të garantuar që Ngushtica e Hormuzit të mbetet e hapur dhe e sigurt, mes tensioneve me Irani. Ai nuk dha detaje konkrete se cilat shtete do të marrin pjesë në këtë operacion.

Në një deklaratë në Truth Social, Trump tha se SHBA-ja tashmë ka “shkatërruar 100% të kapaciteteve ushtarake të Iranit”, por paralajmëroi se Teherani mund të përpiqet ende të shkaktojë incidente duke përdorur dronë, mina detare ose raketa me rreze të shkurtër përgjatë kësaj rruge ujore.

“Shumë vende, veçanërisht ato që preken nga përpjekja e Iranit për të mbyllur Ngushticën e Hormuzit, do të dërgojnë anije luftarake, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për ta mbajtur këtë ngushticë të hapur dhe të sigurt.

Ne tashmë kemi shkatërruar 100% të kapaciteteve ushtarake të Iranit, por për ta është e lehtë të dërgojnë një apo dy dronë, të vendosin një minë, ose të lëshojnë një raketë me rreze të shkurtër diku përgjatë ose brenda kësaj rruge ujore, pavarësisht se sa të mundur janë tashmë.

Shpresojmë që Kina, Franca, Japonia, Koreja e Jugut, Mbretëria e Bashkuar dhe të tjerë që preken nga ky kufizim artificial të dërgojnë anije në zonë, në mënyrë që Ngushtica e Hormuzit të mos përbëjë më kërcënim nga një vend që është goditur dhe paralizuar plotësisht.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara do të bombardojnë pa mëshirë vijën bregdetare dhe do të vazhdojnë të qëllojnë anijet dhe mjetet lundruese iraniane duke i shkatërruar në ujë.

Në një mënyrë apo në një tjetër, shumë shpejt do ta bëjmë Ngushticën e Hormuzit të HAPUR, TË SIGURT dhe TË LIRË!