Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Sot nuk shohim pengesa për integrimin në BE


Kryeministri Edi Rama deklaroi se aktualisht nuk sheh asnjë pengesë konkrete në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Evropian, duke theksuar se vlerësimet e tij bazohen në komunikimet dhe faktet e momentit.

I pyetur nga gazetarët gjatë një konference për mediat se nga buron besimi i tij për këtë deklaratë, ndërkohë që më herët ka përmendur edhe ekzistencën e vendeve skeptike që mund të krijojnë pengesa, Rama tha se situata aktuale nuk tregon ndonjë bllokim të procesit.

“Unë flas mbi bazën e fakteve që kam sot dhe komunikimeve që kemi sot. Nuk flas çfarë do të ndodhë. Sot kemi këtë situatë. Kemi një diskutim që ka ndodhur, që nuk e mohoj dhe ka qenë konstruktiv, dhe kemi një rrugë ku nuk shohim të ketë dalë dikush të thotë se për këtë arsye nuk ecim përpara,” u shpreh Rama.

Sipas tij, procesi i integrimit europian është një punë e përditshme që kërkon angazhim të vazhdueshëm nga institucionet shqiptare.

“Çdo gjë që ka të bëjë me këtë proces është punë e përditshme. Punohet përditë për këtë proces. Deri tani nuk kemi pse ta mendojmë këtë,” shtoi ai.

Gjatë konferencës, kryeministri komentoi edhe takimin që zhvilloi një ditë më parë me ambasadoren e Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Greqi, duke theksuar se bëhej fjalë për një takim njohjeje dhe diskutimi mbi çështje me interes për rajonin.

Sipas Ramës, në fokus të bisedës kanë qenë temat që lidhen me energjinë, bashkëpunimin rajonal dhe qasjen ndaj aktorëve të tretë në rajon.

“Ajo ka ardhur për të bërë një takim njohjeje, për të diskutuar për disa çështje të interesit të lartë amerikan në rajon që kanë të bëjnë me energjinë, me bashkëpunimin rajonal, me qasjen ndaj forcave të treta,” tha Rama.

Ai shtoi se ambasadorja amerikane në Athinë është një figurë e njohur në politikën amerikane dhe pjesë e rrethit të ngushtë të presidentit të SHBA-ve.