
Një tërmet me magnitudë 5.5 goditi në orët e para të mëngjesit të së premtes pjesën qendrore të Turqi, duke bërë që shumë banorë të dalin në rrugë nga frika, megjithëse nuk raportohet për dëme.
Sipas Autoritetit për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), lëkundja sizmike kishte epiqendër në qytetin Niksar në provincën Tokat Province dhe ndodhi në një thellësi prej rreth 6.4 kilometrash. Tërmeti u regjistrua në orën 03:35 dhe u ndje në disa provinca të vendit.
Autoritetet turke bënë të ditur se deri tani “nuk ka zhvillime negative”, ndërsa ekipet vijojnë monitorimin e situatës, përcjell AP.
Megjithatë, sipas raportimeve të Habertürk, shumë banorë preferuan të qëndronin jashtë, në makina ose në rrugë, pavarësisht temperaturave të ulëta, nga frika e lëkundjeve të tjera.
Turqia ndodhet mbi disa linja të mëdha tektonike dhe tërmetet janë të shpeshta. Në vitin 2023, një tërmet me magnitudë 7.8 shkaktoi më shumë se 53 mijë viktima në Turqi dhe shkatërroi ose dëmtoi qindra mijëra ndërtesa në 11 provinca në jug dhe juglindje të vendit.
Nga i njëjti tërmet humbën jetën edhe rreth 6 mijë persona në pjesët veriore të Sirisë.