
Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, ka vendosur veto ndaj një projektligji që do t’i mundësonte vendit të përfitonte rreth 44 miliardë euro hua nga Bashkimi Evropian për mbrojtjen, duke thelluar përplasjen politike me qeverinë e kryeministrit Donald Tusk.
Projektligji do t’i lejonte Varshavës të përfitonte fonde nga programi Security Action for Europe (SAFE), një nismë prej 150 miliardë eurosh që synon rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen dhe forcimin e industrisë evropiane të armëve. Sipas planit, Polonia do të përfitonte rreth 43.7 miliardë euro hua, duke u bërë përfituesi më i madh i këtij mekanizmi, përcjell Euronews.
Koalicioni pro-evropian i drejtuar nga Tusk e mbështeti fuqishëm projektligjin, duke argumentuar se huatë nga BE do të siguronin financim të favorshëm për të përshpejtuar modernizimin e ushtrisë polake, në një kohë kur shqetësimet për sigurinë janë rritur pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.
Sipas zyrtarëve, fondet do të mund të përdoreshin për një sërë projektesh mbrojtjeje, përfshirë forcimin e kufirit lindor dhe investime në prodhimin vendas të armëve.
Megjithatë, Nawrocki, i afërt me opozitën konservatore, argumentoi se mbështetja te huatë e BE mund të rrisë varësinë e Polonisë nga Brukseli. Ai ka propozuar që investimet për mbrojtjen të financohen me burime të brendshme, përfshirë fitimet nga rezervat e bankës qendrore të vendit.
Vendimi i presidentit u kritikua menjëherë nga qeveria. Në një reagim në rrjetin social X, kryeministri Donald Tusk shkroi:
“Presidenti humbi mundësinë për të vepruar si patriot”, duke e cilësuar veton si një mundësi të humbur për të siguruar financim nga BE për investimet në mbrojtje.
Ai njoftoi gjithashtu një mbledhje të posaçme të kabinetit për të shqyrtuar alternativa që do t’i lejonin Polonisë të përfitonte nga fondet e programit SAFE.
Edhe ministri i Jashtëm Radosław Sikorski kritikoi vendimin, duke paralajmëruar se bllokimi i këtij mekanizmi mund të dobësojë aftësinë e Polonisë për të forcuar kapacitetet e saj mbrojtëse.
Nga ana tjetër, ministri i Mbrojtjes Władysław Kosiniak-Kamysz mbrojti propozimin e qeverisë, duke theksuar se huatë e BE do t’i lejonin vendit të rrisë shpenzimet ushtarake pa ushtruar presion shtesë mbi buxhetin kombëtar.