
Pas vendimit të Kuvendit për të rrëzuar kërkesën e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, ka ardhur një reagim nga Ambasada e Gjermanisë në Tiranë.
Kërkesa e SPAK u rrëzua me votat e shumicës parlamentare të drejtuar nga kryeministri Edi Rama, duke mos dhënë autorizimin për arrestimin e Ballukut.
Në reagimin e saj, ambasada gjermane thekson se ndjekja penale e korrupsionit, veçanërisht në nivelet e larta, duhet të zhvillohet në mënyrë efektive, të shpejtë dhe pa pengesa. Sipas saj, ky është një kusht thelbësor për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Kusht i domosdoshëm për të bërë progres në këtë proces të bazuar në merita është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë. Pritshmëria jonë e qartë është që edhe në këto raste ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa. Prej politikës shqiptare vazhdon të kërkohet ende që ta garantojë këtë proces”, thuhet në deklaratë.
Reagimi i plotë
Lidhur me vendimin e sotëm të Parlamentit shqiptar për heqjen e imunitetit, ambasada gjermane deklaron se Gjermania mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në përputhje me dëshirën e qytetarëve shqiptarë.
Në deklaratë theksohet se progresi në këtë proces, i bazuar në meritë, kërkon ndjekje efektive penale të korrupsionit edhe në nivele të larta dhe që drejtësia të veprojë pa pengesa. Sipas ambasadës, politika shqiptare duhet të garantojë që ky proces të zhvillohet në mënyrë të pavarur dhe të shpejtë.