
Një sulm i ushtrisë amerikane ka goditur aksidentalisht një shkollë fillore në Iran, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 168 fëmijëve dhe 14 mësuesve, sipas mediave shtetërore iraniane. Dy burime të informuara mbi gjetjet paraprake të një hetimi ushtarak në vazhdim thanë se gabimi ka të ngjarë të jetë shkaktuar nga informacion i vjetëruar mbi një bazë detare aty pranë.
Sulmi i 28 shkurtit ndaj shkollës “Shajareh Tayyiba” në qytetin Minab ndodhi ndërsa ushtria amerikane po kryente sulme kundër një objekti fqinj të Gardws Revolucionare, sipas gjetjeve fillestare të hetimit.
Komanda qendrore amerikane krijoi koordinatat e objektivit duke përdorur informacion të vjetëruar të siguruar nga Agjencia Inteligjente e Mbrojtjes, gjë që kontribuoi në gabim, thanë burimet për CNN.
Një zëdhënës i Agjencisë Inteligjente të Mbrojtjes tha: “Incidenti është nën hetim; për komente të mëtejshme i referohemi Pentagonit.”
Ndërkohë, një zëdhënës i Komandës Qendrore të SHBA-së refuzoi të komentojë mbi gjetjet paraprake, duke përmendur hetimin që vazhdon.
Pamjet satelitore nga viti 2013 tregojnë se shkolla dhe baza e IRGC-së dikur ishin pjesë e të njëjtit kompleks. Por pamjet e vitit 2016 treguan se ishte ndërtuar një gardh që ndante shkollën nga pjesa tjetër e bazës, si dhe ishte krijuar një hyrje e veçantë për shkollën. Në dhjetor 2025, pamjet satelitore treguan dhjetëra njerëz në oborrin e shkollës që dukeshin sikur po luanin.
Gazeta The New York Times ishte e para që raportoi detajet e hetimit paraprak, i cili ende vazhdon.
Presidenti amerikan Donald Trump tha të mërkurën se nuk ishte në dijeni të raportimit të gazetës, sipas të cilit hetimi ushtarak kishte gjetur paraprakisht se SHBA mund të ishte përgjegjëse për sulmin vdekjeprurës ndaj shkollës në jug të Iranit.
“Nuk di gjë për këtë,” tha Trump kur u pyet nga gazetarja e CNN, Kristen Holmes, nëse e pranonte përgjegjësinë.
Gjetjet fillestare të hetimit ngrenë pyetje të tjera mbi arsyet që çuan në sulmin ndaj shkollës dhe mbi përgjegjësinë përfundimtare.
Disa burime i thanë CNN se hetimi paraprak përputhet me atë që ishte bërë gjithnjë e më e qartë ndërsa provat e reja dilnin në publik se sulmi u krye nga ushtria amerikane.
Një video e lokalizuar gjeografikisht nga CNN – e filmuar nga një kantier ndërtimi aty pranë dhe e publikuar nga Mehr News Agency – tregon një municion që ekspertët thanë se përputhet me një raketë amerikane Tomahawk që godet një objekt brenda bazës së IRGC-së më 28 shkurt. Kur kamera lëviz djathtas, shihet një re e madhe tymi nga drejtimi i shkollës Shajareh Tayyiba.
Më herët Trump kishte deklaruar se Irani mund të ishte përgjegjës për sulmin. Kur u pyet pse askush në administratën e tij nuk po e mbështeste publikisht këtë pretendim, ai u përgjigj: “Sepse nuk di mjaftueshëm për këtë.”
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha për CNN: “Siç e pranon edhe vetë New York Times në raportimin e saj, hetimi është ende në vazhdim.”
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha të martën se sulmi do të hetohet “në mënyrë të plotë”, duke shtuar se SHBA ka “tentuar në çdo mënyrë të mundshme të shmangë viktimat civile”.
Ai akuzoi ndërkohë Iranin se po godet civilët “pa dallim”.
Mbetjet e raketave që zyrtarët iranianë pretendojnë se janë gjetur në vendin e sulmit duket se i përkasin një rakete amerikane Tomahawk, sipas një analize të mëparshme të CNN.
Katër fotografi të fragmenteve u shpërndanë në Telegram nga transmetuesi shtetëror iranian IRIB, me një mbishkrim që pretendonte se ato ishin mbetje nga sulmi. Nuk është e mundur të konfirmohet nëse fragmentet vinin nga sulmi ndaj shkollës, nga sulmi ndaj bazës detare të IRGC-së apo nga një vend tjetër.
Megjithatë, sipas analizës së CNN dhe ekspertëve të armëve, fragmentet duken të përputhshme me një raketë Tomahawk të prodhuar në SHBA.
Pentagoni i klasifikon këto raketa si municione me drejtim preciz, dhe disa ndërtesa në bazën ushtarake duket se janë goditur me armë të tilla.
Trump kundërshtoi pretendimet se SHBA kishte kryer sulmin gjatë një konference për shtyp të hënën, duke thënë se edhe Irani mund të ketë raketa Tomahawk. Por këto raketa, të prodhuara nga kontraktori amerikan i mbrojtjes Raytheon, zotërohen vetëm nga një numër i vogël aleatësh të SHBA-së që kanë autorizim për t’i blerë. Edhe Israel, një nga partnerët më të afërt të Uashingtonit, nuk i zotëron ato, dhe disa ekspertë të municioneve konfirmuan për CNN se Irani gjithashtu nuk i ka.