Vendosni fjalën kyçe....

Ahmetaj i përgjigjet Ramës: Është paradoksale të dëgjosh leksione për prezumimin e pafajësisë nga i njëjti kryeministër



Arben Ahmetaj, ish-zëvendëskryeministër dhe aktualisht në arrati, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili doli në mbrojtje të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin.

Përmes një reagimi publik në Facebook, Ahmetaj u ndal te deklaratat që Rama bëri gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste të hënën paradite, ku sipas tij kryeministri foli edhe për çështjen e tij, duke pretenduar se në të kishte “1001 të zeza”.

Sipas Ahmetajt, një deklaratë e tillë bëhet në një moment kur çështja ndaj tij ende nuk ka nisur të gjykohet dhe hetimet sapo janë mbyllur, gjë që – sipas tij – përbën shkelje të parimit të prezumimit të pafajësisë.

“Paraditen e të hënës në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Kryeministri, në përpjekje për të justifikuar qëndrimet e tij, gjeti kohë të flasë edhe për rastin tim, duke pretenduar se aty paskësh ‘1001 të zeza’. Kjo deklaratë bëhet në një kohë kur çështja ende nuk ka filluar të gjykohet dhe hetimet sapo janë mbyllur”, shprehet ai.

Ahmetaj thekson se një deklaratë e tillë publike për një çështje që i takon drejtësisë përbën shkelje të hapur të parimit themelor të prezumimit të pafajësisë.

Ai e konsideron gjithashtu paradoksale që kryeministri flet për respektimin e këtij parimi, ndërkohë që – sipas tij – e shkel atë publikisht sa herë që i intereson politikisht.

“Është paradoksale të dëgjosh leksione për prezumimin e pafajësisë nga i njëjti Kryeministër, i cili nuk heziton ta shkelë atë publikisht sa herë që i intereson politikisht, duke e përdorur atë me standard të dyfishtë edhe brenda të njëjtit fjalim”, thuhet në reagim.

Në fund të deklaratës së tij, Ahmetaj thekson se prezumimi i pafajësisë është një e drejtë themelore e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, nga kartat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe nga legjislacioni në fuqi.

Sipas tij, e drejta e lirisë së shprehjes, edhe për kryeministrin, nuk mund të përdoret për të cenuar këtë parim dhe as për të ushtruar presion apo ndikim mbi vendimmarrjen e organeve të drejtësisë.

Deklaratat e Ramës

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Rama mbrojti ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe kritikoi mënyrën se si, sipas tij, po kërkohet arrestimi i saj.

Ai theksoi se hetimet duhet të zhvillohen dhe drejtësia të bëjë punën e saj, por pa krijuar situata që – sipas tij – dëmtojnë imazhin e vendit dhe cenojnë parimin e prezumimit të pafajësisë.

“Le ta hetojnë Ballukun, ta ulin në gjyq për barazi në tendera para 6 vitesh, por të mos fyejnë inteligjencën tonë duke na thënë se ajo i prish provat. Ajo si rrezikonte provat as kur ishte ministre dhe sot që është deputete as që bëhet fjalë”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se gjykata duhet të jetë ajo që vendos përfundimisht për rastin, duke theksuar se bëhet fjalë për një pushtet të pavarur.