Mojtaba Khamenei, i emëruar së fundmi si udhëheqësi suprem i Iranit, dyshohet se është plagosur në këmbë në ditën e parë të luftës së nisur nga Izraeli dhe SHBA, raportoi të mërkurën YNet, duke cituar The New York Times.
Raporti vjen ndërsa Khamenei, 56 vjeç, nuk është shfaqur publikisht dhe nuk ka bërë asnjë deklaratë që prej zgjedhjes së tij tre ditë më parë për të zëvendësuar të atin, Ali Khamenei, i cili u vra në sulmin fillestar të Izraelit më 28 shkurt.
Tre zyrtarë iranianë i thanë The New York Times se Mojtaba Khamenei u plagos atë ditë, por rrethanat e sakta të plagosjes dhe gjendja e tij aktuale shëndetësore mbeten të paqarta. Sipas tyre, ai është i vetëdijshëm dhe aktualisht ndodhet i fshehur në një vend shumë të siguruar, me komunikim të kufizuar.
Dy zyrtarë të ushtrisë izraelite i thanë gjithashtu gazetës se vlerësimi i autoriteteve të mbrojtjes izraelite është i ngjashëm, duke arritur në përfundimin se Khamenei pësoi plagë në këmbë më 28 shkurt – ditën kur Izraeli dhe SHBA nisën luftën.
Sipas raportimit, në të njëjtin sulm që vrau Ali Khamenein humbën jetën edhe gruaja, djali dhe nëna e Mojtaba Khameneit.
Media shtetërore iraniane ka lënë më herët të kuptohet për plagosjen e tij, duke e përshkruar si “janbaz jang”, një term persian që përdoret për veteranët e plagosur të luftës.
Gjatë një konference për shtyp të martën, gazetarët iranianë pyetën zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme, Ismail Qaani, nëse Khamenei kishte nisur të ushtronte funksionet e udhëheqësit suprem – rol që përfshin edhe komandën e përgjithshme të forcave të armatosura të Iranit. Qaani nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por tha se “ata që duhej të merrnin mesazhin, e kanë marrë”.
Po sipas The New York Times, zyrtarët iranianë besojnë se Mojtaba Khamenei ishte objektiv i një tjetër tentative për atentat të premten, para se të zgjidhej zyrtarisht udhëheqës suprem, por kur ai konsiderohej gjerësisht si kandidati kryesor për të pasuar të atin.
Sipas tyre, sulmi kishte në shënjestër një bunker të madh nën zyrat e udhëheqësit suprem në Teheran, por Mojtaba Khamenei nuk ndodhej në atë vend në momentin e sulmit.
