Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: Rama ka instaluar një sistem ekononomik të bazuar krejtësisht te klientelizmi


Jorida Tabaku theksoi mbrëmjen e sotme rënien e besimit te institucionet e pavarura dhe instalimin e një sistemi ekonomik të bazuar krejtësisht te klientelizmi.

E ftuar në “Trialog” në RTSH, deputetja demokrate tha se siguria që qytetarët kishin dikur te kontrolli i institucioneve të qeverisë nga KLSH, SPAK apo vetë gjyqësori, sot është lëkundur thellësisht nga standardet e dyfishta.

Sipas demokrates, qëndrimet e kryeministrit Rama sfidojnë drejtpërdrejt reformën në drejtësi, e cila është investimi më i madh ndërkombëtar në vend. Ajo ngriti gjithashtu një pyetje retorike mbi funksionin e Gjykatës Kushtetuese.

“A ishte më mirë pa Gjykatë Kushtetuese që nuk kishte anëtarë, apo një Kushtetuese që i ka anëtarët, por që nuk i zbatohen vendimet?”

Duke iu referuar retorikës së Kryeministrit Edi Rama, i cili shpesh i ka cilësuar aferat korruptive të vartësve të tij si raste të izoluara ku zyrtarët “kanë ngrënë dardha pas kurrizit “, Tabaku u shpreh se kjo alibi nuk qëndron më. Ajo kujtoi se drejtësia tashmë ka shkuar shumë pranë zyrës së kreut të qeverisë, duke theksuar se kemi të bëjmë me një sistem të tërë dhe jo me individë të shkëputur.

“Kemi dy zëvendëskryeministra që janë të akuzuar për korrupsion. Ky sistem po bie pak nga pak. Sistemi është i korruptuar që në gjenezë. Çdo tender merret pasi paguhet taksa e 30% e korrupsionit. Tenderat ndahen pa asnjë garë reale, ndërsa konfliktet mes biznesmenëve shpërthejnë sepse “janë hapur zarfet” paraprakisht. Ekzistojnë kompani që mbijetojnë ekskluzivisht përmes fondeve shtetërore, duke vrarë konkurrencën e ndershme. Nuk ka më ekonomi tregu, por ekonomi tenderash. Tranzicioni është ulur këmbëkryq në çdo sferë të jetës,” theksoi Tabaku.