Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: Rama e socialistët e kthyen Kuvendin në mburojë të koprrupsionit me mbrojtjen e Ballukut


Deputetja demokrate Tabaku e quajti mbrojtjen që kryeministri Rama dhe deputetët socialistë po i bëjnë zv.kyeministres së akuzuar nga SPAK, si goditje të drejtpërdrejtë ndaj reformës në drejtësi dhe rrugëtimit evropian të vendit.

E ftuar në emisionin “Trialog” në RTSH, Tabaku theksoi se qëndrimi bllokues i PS-së ishte i pritshëm  dhe tregues i qartë i mungesës së vullnetit politik për të lejuar drejtësinë të veprojë. Tabaku e cilësoi raportin e hartuar nga socialistët në Këshillin e Mandateve si “një nga raportet më të dobëta të prodhuara ndonjëherë”.

“Te dosja prej 16 mijë faqesh shihen kërcënime ndaj stafit me të cilin ka punuar Balluku. Ajo i ka ushtruar funksionet e saj edhe kur çështja ishte në Kushtetuese. Masën e pezullimit nga SPAK fillimisht e kundërshtuan, ndërsa kërkesa për imunitetin erdhi më pas.”

Ajo shtoi më tej se kryeministri Rama po ushtron presion ndaj pushteteve të pavarura ndërsa e konsideroi absurd përdorimin e Parlamentit si një mburojë për t’i shpëtuar zyrtarët e lartë nga përballja me ligjin.

“Nuk e konceptoj dot se si kryeministri mund të gjykojë mbi SPAK-un, Gjykatën Kushtetuese, KLSH-në dhe mbi çdo institucion tjetër. Më vjen keq që kolegët socialistë mbrojnë atë që deri dje e kritikonin.” – shtoi Tabaku.